Telegrafi

Formacioni më i mirë i javës së pestë në Albi Mall Superligë

Ka përfunduar xhiro e pestë në Superligën e Kosovës në futboll me tre fitore të vendasve dhe dy të mysafirëve.

Ballkani ka triumfuar në derbi ndaj Prishtinës 1-0, derisa me të njëjtin rezultat Llapi ka mposhtur Dritën.

Gjilani mori fitoren e parë sezonale duke mposhtur Feronikelin ’74 me rezultat të pastër 2-0, ndërsa fitore në udhëtim shënuan Suhareka 0-1 si mysafirë i Ferizajt dhe Malisheva 1-3 te Dukagjini i Klinës.

Telegrafi Sport vazhdon të sjell formacionin më të mirë të javës në elitën e futbollit kosovar, ku këtë javë dominohet nga futbollistët e Suharekës dhe Malishevës.

Portieri: 

Oytun Ozdogan ka bërë një tjetër paraqitje fantastike me fanellën e Suharekës në sfidën ndaj Ferizajt. Portieri turk bëri disa pritje ndaj ferizajasve duke mbajtur portën e paprekur dhe duke i siguruar tre pikë skuadrës së tij në fitoren 0-1.

Mbrojtësit:

Në krahun e djathtë është Arbër Pira i Malishevës që ishte fantastik në fitoren ndaj Dukagjinit. Pira përveç lojës së mirë në mbrojtje dha kontribut të madh edhe në repartin ofensivë duke shënuar një gol e duke asistuar në një tjetër. Qendra e mbrojtjes përbëhet nga dy futbollistë të skuadrave suharekase, Ballkanit e Suharekës.

Bajram Jashanica ishte fantastik në përballje ndaj Prishtinës dhe lider në mbrojtje e Ballkanit. Ndërkohë te Suhareka shkëlqeu mbrojtësi Kodra që shpëtoi në një rast një gol të sigurt duke bllokuar gjuajtjen e Abdul.

Krahu i majtë i mbrojtjes është blinduar nga Arlind Veliu, i cili ishte i jashtëzakonshëm edhe në duelin që Malisheva e fitoi 1-3 në udhëtim te Dukagjini i Klinës.

Mesfushorët:

Sabit Bilali ka qenë fantastik në fitoren e Gjilanit 2-0 ndaj Feronikelit ’74. Mesfushori nga Shqipëria shkëlqeu në këtë takim së bashku me Ergys Kaçen, derisa realizoi edhe një gol.

Përkrah Bilalit është mesfushori Vesel Limaj që shkëlqeu në fitoren e Malishevës 1-3 te Dukagjini i Klinës. Limaj dominoi në mesfushë derisa realizoi edhe një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë.

Në mesfushë edhe heroi i Llapit për sfidën ndaj Dritës, Blend Baftiu. Mesfushori ofensivë realizoi gol në frymën e fundit për t’i dhënë Llapit tre pikë ndaj ish-skuadrës së tij.

Sulmuesit:

Hero i Suharekës në fitoren ndaj Ferizajt 0-1 ishte Liridon Fetahaj. Sulmuesi anësor realizoi golin e vetëm, derisa ishte i pandalshëm në këtë sfidë.

Në qendër të sulmit është gjiganti Senad Jarovic që vazhdoi shkëlqimin me fanellën e Gjilanit, duke shënuar edhe në sfidën ndaj Feronikelit ’74.

Ndërkohë në të majtë të sulmit është Bernard Karrica që realizoi golin e vetëm për Ballkanin në fitoren 1-0 ndaj Prishtinës.

Trajneri:

Artim Pollozhani është për herë të parë trajneri i javës, pasi ai në ndeshjen e parë zyrtare të tij si trajner triumfoi ndaj Prishtinës. Ballkani mposhti Prishtinën duke dominuar dhe krijuar shumë raste shënimi. Dora e Pollozhanit u vërejt në pjesën e dytë, kur zëvendësimet ia sollën fitoren kampionit në fuqi. /Telegrafi/