Java hapëse e stinorit pranveror ashtu siç ishte pritur solli ndeshje të bukura dhe gola, në terrene që ishin të mbushura me borë.
Drita e ka nisur me fitore ndaj Llapit (1-0), ndërsa edhe Ballkani nuk ka lejuar befasi ndaj Besës (3-0).
Prishtina ishte superiore ndaj Drenicës duke e mposhtur 3-1.
Dy ndeshje tjera u mbyllën baras, ku Feronikeli luajti me Gjilanin (1-1), ndërsa me rezultat të njëjtë u mbyll edhe ndeshja Trepça ’89 – Arbëria.
Redaksia e sportit e Telegrafi.com ka zgjedhur më të mirët e javës së 19-të.
Ilir Avdyli – Portieri i Feronikelit ishte më i mirë në fushë për skuadrën e tij. Ai bëri disa pritje, prej tyre disa pothuajse të pamundura. Goli i pranuar nuk erdhi për faj të tij, pasi një top i pritur nga ai nuk u largua nga mbrojtja.
Ardian Limani – Mbrojtësi i Dritës është i gatshëm të luajë në çdo pjesë të fushës. Edhe në ndeshje me Llapin edhe pse iu ndërrua pozicioni, ai bëri lojën e tij më të mirë.
Gentian Muça – Gjiganti i Prishtinës, duket se është shumë i fortë në lojë në ajër. Ai arriti të shënojë një gol të bukur me kokë, ndërsa edhe në mbrojtje fitoi shumë duele.
Ivan Fustar – Mbrojtësi kroat zhvilloi një ndeshje të mirë ndaj Feronikelit. Ai ishte pjesë e goli të shënuar nga Gjilani, ku morën një pikë nga Drenasi.
Adem Maliqi – Sulmuesi anësor zhvilloi një nga ndeshjet e tij më të mira te Feronikeli. Ai përveç që shënoi goli, ishte enigmë e pazgjidhur për mbrojtjen gjilanase. Depërtime, vrapime dhe raste të krijuara nga Ademi në këtë ndeshje.
Blend Baftiu – Mesfushori i Ballkanit po kthehet në formën e tij më të mirë. Ai arriti të shënojë dy herë ndaj Besës, duke i paralajmëruar kundështarët që do të jetë në formë të lartë këtë sezon.
Muhamet Useini – Një nga pikat më të forta të Gjilanit në ndeshje me Feronikelin ishte mesfushori tetovar. Ai tregoi formë të lartë dhe arriti të shënojë golin e barazimit. Useini bërë shumë kilometra, duke ndërprerë edhe aksione në mesfushë.
Adenis Shala – Anësori këmbëshpejtë ia dha një pikë shumë të rëndësishme Trepçës ’89 në përballje me Arbërinë. Ai vazhdon të mbete njëri ndër lojtarët kryesor të mitrovicasve.
Astrit Fazliu – Shënon pak, por shënon kur më së shumti i duhet Dritës. Goli i ferizajasit ia solli tri pikë shumë të vlefshme skuadrës së tij që vazhdon të mbetet lider në Superligë.
Anes Hot – Transferimi më i ri i Arbërisë ka debutuar mjaftë mirë. Ai arriti të shënojë që në ndeshjen e parë në kampionat. Goli i tij i dha një pikë të vlefshme për mbijetesë Arbërisë.
Alban Shillova – Sulmuesi prishtinas duket në formë të mirë në këtë sezon. Mungesën e Oto John është duke e shfrytëzuar mjaftë mirë, duke arritur të shënojë edhe ndaj Drenicës. Shillova përveç se shënon, ai krijon edhe për bashkëlojtarët.
Zekirja Ramadani – Trajneri i javës është Zekirja Ramadani. Skuadra e tij ka arritur formën optimale dhe po mposht çdo kundërshtarë. Ndaj Drenicës edhe pse me disa mungesa, skuadra e tij luajti bukur dhe krijoi shumë raste.
Formacioni
/Telegrafi/