Ka përfunduar xhiro e 10-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll me disa rezultate interesante.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Prishtina u rikthye te fitoret pas tri ndeshjeve, ku mposhti Malishevën 2-1.
Ish-kampioni Drita kishte katër sfida pa fitore dhe arritën të mposhtin Feronikelin me rezultat 2-0 si msyafir.
Llapi ka shkëlqyer në udhëtim te Ulpiana duke triumfuar me rezultat të thellë 0-6, derisa Gjilani mposhti Drenicën në kryendeshjen e javës 2-1.
Ndeshja e vetme pa fitues u zhvillua në Klinë, ku Dukagjini dhe Ballkani luajtën baras 0-0.
Redaksia e sportit në Telegrafi si gjithnjë ka zgjedhur më të mirët e javës.
Portieri
Kenan Haxhihamza ka qenë fantastik për Dukagjinin në përballje me Ballkanin. Portieri rahovecas tregoi vlerat e tij kundër ish-skuadrës duke pritur disa goditje. Pritja ndaj Mevlan Zekës sidomos ishte vendimtare, duke e shpëtuar skuadrën e tij nga humbja.
Mbrojtja
Besnik Krasniqi edhe njëherë ka qenë vendimtar për Prishtinën. Mbrojtësi i djathtë ishte fantastik përballë Malishevës duke shënuar dy gola nga penalltia për fitoren e kryeqytetasve 2-1.
Bujar Idrizi ka zhvilluar një tjetër ndeshje të madhe me Llapin. Mbrojtësi llapjan ishte fantastik ndaj Ulpianës, ku asistoi në golin e parë dhe shënoi në të dytin.
Gjilani luajti derbin e javës ndaj Drenicës dhe fitoi me rezultat 2-1. Muhamed Useini ka qenë më i dalluari për skuadrën e Ismet Munishit në prapavijë duke neutralizuar sulmuesit drenicas.
Në krahun e majtë të mbrojtjes është Ilir Blakçori i Dritës. Mbrojtësi anësorë ishte fantastik në përballje me Feronikelin, duke asistuar në dy golat e gjilanasve.
Mesfushorët
Arbnor Ramadani është lider i Llapit dhe lidershipin e tij e tregoi në ndeshje ndaj Ulpianës. Mesfushori gjilanas shënoi një gol të jashtëzakonshëm, por edhe asistoi në një tjetër në suksesin e Llapit.
Kushtrim Gashi ishte fantastik për Ballkanin në përballje me Dukagjinin. Mesfushori defensivë dominoi në mesfushë dhe ishte ndër më meritorët për pikën e fituar të Ballkanit në udhëtim te Dukagjini.
Para tyre është Endrit Krasniqi, që ishte prej pak individëve që u vlerësua te Prishtina, pasi fitoi dy penalltitë, në ndërhyrja ndaj tij.
Sulmi
Faza e avancuar vjen me tre lojtarë vendimtarë për skuadrat e tyre. Në njërin krahë është Gerhard Progni i Gjilanit, i cili ndaj Drenicës shënoi dy herë për fitoren e skuadrës së tij.
Në krahun tjetër është Valmir Veliu i Llapit që ka kapur formën, ku edhe ndaj Ulpianës shënoi dy herë në fitoren 6-0, duke shtuar edhe një asistim.
Në qendër të sulmit është Marko Simonoski. Sulmuesi maqedonas hapi ndeshjen e vështirë ndaj Feronikelit, duke e dërguar drejt fitores Dritën.
Trajner
Ky epitet i shkon Tahir Batatinës, pasi skuadra e tij mori fitore në fushën e Ulpianës dhe atë me rezultat 6-0. Skuadra e tij ka kapur formën dhe po vazhdon me rezultate të mira.
Formacioni