Site icon Telegrafi

Formacioni me lojtarët që shkëlqyen në çerekfinale të “Katar 2022”

Ka përfunduar me sukses edhe faza e çerekfinales në Kampionatin Botëror që po mbahet në Katar dhe sërish kishte befasi.

Befasia më e madhe e këtij rrethi ishte eliminimi i Portugalisë nga një Marok që po i mahnitë të gjithë, por edhe disfata e atyre që cilësoheshin si favorit kryesor i turneut, Brazilit nga Kroacia.

Skuadra që kaluan tutje në gjysmëfinale janë, Argjentina, Kroacia, Franca dhe Maroku.

 

Por, për ata që shkëlqyen në çerekfinale, Telegrafi Sport ka përpiluar një formacion në skemën 4-4-2:

Në portë është i jashtëzakonshmi i marokenëve, Yassine Bounou (Bono), që bëri së paku pesë pritje vendimtare, për t’i mohuar Portugalisë golin që e kërkuan aq shumë, por që në fund ekipi i tij triumfoi 1-0, për të arritur në gjysmëfinale.

Para tij janë të vendosur katër mbrojtës, me krahun e majtë që është i pushtuar nga Yahya Attiat-Allah, po ashtu i Marokut, pasi përveç që asistoi te goli i realizuar nga Youssef En Nesyri, bëri edhe katër ndërprerje të aksioneve.

Në qendër të mbrojtjes është po ashtu një maroken, Jawad El Yamiq që ishte i pamposhtur në duelet në ajër dhe ato në tok nga sulmi i Portugalisë, duke e mbajtur nivelin e lartë të detyrës, Atiuj i bashkëngjitet edhe Josko Gvardiol i Kroacisë, që po vazhdon të jetë fenomenal në këtë Botëror, dhe vazhdoi të kishte ndërhyrje të sakta, për të ndërprerë çdo aksion të mundshëm të Brazilit nga koha e rregullt.

Në krahun e djahtë të mbrojtjes është po ashtu një kroat, Josip Juranovic që me lëvizjet e tij e la Vinicius Juniorin dhe Neymarin të acaruar me fazën defanzive të tij, derisa bëri së paku pesë ndërhyrje kyçe.

Edhe mesfusha përmbëhet nga katër lojtarë, duke filluar me fantastikun e Marokut, Sofyan Amrabat, i cili edhe në këtë ndeshje të tyre ishte thjestë i pamposhtur nga lojtarët kundërshtar dhe ia doli sërish ta lexonte lojën e ekipit përballë.

Përkrah tij është vendosur Luka Modric, kapiteni i Kroacisë që ishte i pandalshëm ndaj brazilianëve dhe mund ta shikonim pothuajse në çdo skaj të fushës duke ndihmuar bashkëlojtarët për të kaluar në gjysmëfinale.

Në krahun e sulmit janë të vendosur Lionel Messi  dhe Antoine Griemzmann. Shtatë herë fituesi i Topit të Artë edhe në takimin me Holandën që e fituan përmes penalltive ishte thjeshtë i pandalshëm dhe analizonte lojën kundërshtare, duke asistuar te goli i parë dhe më pas realizoi edhe nga pika e bardhë. Në anën tjetër, një formë të mirë po e vazhdon edhe anëtari i Atletico Madridit, që ishte vendimtar me dy asistimet e tij te Gjelat, duke bërë që të mposhtnin Anglinë me rezultat 2-1.

Sulmi përmbëhet nga dyshja, Olivier Giroud dhe En Nesyri. Anëtari i Milanit riktheu epërsinë për Les Blues në minutën e 78-të, duke bërë që ekipi i tij të ringjallej nga një presion i vazhdueshëm nga Tre Luanëve dhe në fund t’ia arrinin qëllimit, kalimin në gjysmëfinale.

Ndërsa, En Nesyri ishte heroi i Marokut, pasi realizoi golin e vetëm të takimit me Portugalinë në minutën e 42-të, dhe me bashkëlojtarët e tij ia dolën të bënin mrekullinë e dytë, pasi pas Spanjës, eliminuan edhe portugezët. /Telegrafi/

Exit mobile version