Ka përfunduar xhiro e 12-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll me disa rezultate mjaftë interesante.
Derbi i kësaj xhiro u zhvillua në kryeqytet, ku Prishtina arriti fitore me rezultat minimal 1-0 ndaj Drenicës.
Drita vazhdoi me fitore, teksa mposhti Malishevën 1-0, ndërsa Llapi fitoi në udhëtim te Feronikeli 0-2.
Ulpiana u përkujdes për befasinë e javës, pasi mposhti Ballkanin 2-1, derisa takimi i vetëm pa fitues u zhvillua në Klinë, ku Dukagjini dhe Gjilani ndanë pikët 1-1.
Si gjithnjë, redaksia e sportit në Telegrafi.com zgjedh 11 më të mirët e javës në elitën e futbollit kosovar.
Portieri:
Kenan Haxhihamza kësaj radhe është zgjedhur portieri më i mirë i javës, pasi pati paraqitje fantastike ndaj Gjilanit. Portieri rahovecas bëri disa pritje fantastike ndaj Gjilanit, teksa vlen të veçohet se ishte vendimtar në pikën e fituar nga Dukagjini pasi ndali gjuajtjen nga penalltia të Gerhard Prognit. Haxhihamza e fitoi garën me portierin fantastik të Ulpianës, Ajeti i cili ndaj Ballkanit bëri ndeshje të madhe.
Mbrojtja:
Besnik Krasniqi vazhdon të jetë lojtari kryesor i Prishtinës. Edhe pse pozita e tij është mbrojtës, ai është gjithmonë në momentin e duhur për të shënuar për skuadrën e zemrës. Anësori ishte vendimtar në tri pikët e Prishtinës, pasi shënoi golin e vetëm ndaj Drenicës.
Në qendër të mbrojtjes vijnë dy mbrojtës shumë të fuqishëm si Leotrim Bekteshi i Prishtinës dhe Ardian Cuculi i Dritës. Që të dy ishin lider për skuadrat e tyre në fitoret minimal 1-0 ndaj Drenicës respektivisht Malishevës. Bekteshi e Cuculi ishin më të dalluarit tek skuadrat e tyre në repartin defensivë.
Pozita e tij natyrale është mbrojtës i djathtë, por ndaj Ballkanit luajti si i majtë dhe ishte i jashtëzakonshëm. Talenti prishtinas, Kastriot Rapuca bëri një ndeshje të madhe për Ulpianën në fitoren ndaj Ballkanit 2-1. Përpos që ishte i pakalueshëm nga yjet si Armend Thaqi, Blendi Baftiu e Meriton Korenica, Rapuca shpesh herë iu shkaktonte probleme edhe në repartin ofensivë suharekasve.
Mesfusha:
Ardi Shala ka zhvilluar njërën ndër ndeshjet më të mira këtë edicion për Ulpianën. 24-vjeçari ishte më i miri në fushë tek skuadra e tij, por fatkeqësisht e kaloi Ballkanin në epërsi me autogolin e shënuar. Gjithsesi ai autogol ishte aksidental pasi Shala zhvilloi një super ndeshje, ku në minutën e 93-të e përmirësoi gabimin duke shënuar golin e fitores për Ulpianën.
Kushtrim Shabani ka qenë motori i Llapit në fitoren 0-2 në udhëtim te Feronikeli. Mesfushori llapjan shkatërronte çdo aksion të vendasve dhe i ndërtonte për mrekulli të ekipit të tij.
Në krahun e djathtë të sulmit vjen Kastriot Selmani i Llapit. Edhe pse nuk shënoi gol, Selmani asistoi ndaj Feronikelit dhe ishte rreziku kryesor për skuadrën vendase. Sulmuesi i talentuar tentoi disa herë portën, por Smakiqi ishte në vend.
Mund të themi padyshim që është lojtari më në formë në BKT Superligë dhe falë golave të tij Gjilani po qëndron në vendet e para të tabelës. Gerhard Progni edhe ndaj Dukagjinit ishte më i miri te Gjilani me një gol të shënuar. Humbi penalltinë në minutën e fundit, por një gjë e tillë iu ndodh edhe lojtarëve më të mirë.
Ndërkohë në krahun e majtë të sulmit vjen braziliani Iran Junior i Ulpianës. Anësori nga Brazili bëri një ndeshje të madhe ndaj Ballkanit ku shënoi edhe golin e barazimit. Iran realizoi një tjetër gol pas asistimit të Rapucës, por që u anulua për pozitë jashtë loje.
Sulmi:
Sulmuesi i vetëm këtë xhiro në formacionin më të mirë është Ahmed Januzi. Vushtrriasi tregoi klasin e tij ndaj Gjilanit duke realizuar një gol fantastik, derisa bëri një ndeshje shumë të mirë.
Trajner i javës:
Pa dyshim epiteti i trajnerit të javës i takon Edlir Tetovës së Ulpianës. Edhe pse pak kush e mendoi, Tetova me skuadrën e tij arriti një fitore spektakolare 2-1 me rikthim ndaj Ballkanit. Njëherit trajneri shqiptar u përkujdes që ta njoftoj me humbje Ballkanin pas 12 xhirove në BKT Superligë. /Telegrafi/