Site icon Telegrafi

Forma e mirë e ekipit dhe rikthimi i Valmir Veliut – A është Llapi kandidat serioz për titull?

Llapi i Tahir Batatinës ka vazhduar formën e lartë këtë sezon, duke qenë momentalisht lider i Albi Mall Superligës së Kosovës dhe pritet të jetë “arrë e fortë” gjatë gjithë edicionit, kur dihet se përforcimet e ekipit nuk po ndalen. Sulmuesi i njohur, Valmir Veliu pritet të rikthehet në “Zahir Pajaziti” dhe këtë e ka konfirmuar drejtori sportiv i klubit, Mentor Zhdrella, i cili përveç lajmeve mbi transferimin e lojtarit, ka folur edhe për formën e ekipit dhe ambiciet e këtij sezoni.

Shtatë javët e para të sezonit 2023/24 në Albi Mall Superligën e Kosovës kanë treguar një Llapi të fortë dhe që pritet të jetë konkurrues këtë edicion, pasi momentalisht gjendet në pozitën e parë të tabelës.

Pesë fitore, një barazim dhe një humbje, me 13 gola të shënuara dhe gjashtë të pranuar është bilanci i ekipit të Tahir Batatinës, i cili këtë sezon po tregon se mund të jetë rivali serioz i Ballkanit në garën për titull, me therandasit që gjenden në pozitën e dytë.

Në këtë ‘luftë’, klubi nga stadiumi “Zahir Pajaziti pritet ta ketë shumë shpejt edhe një ‘armë’ më shumë. Bëhet fjalë për sulmuesin Valmir Veliu, i cili ka pranuar rikthimin te Llapi pas ndërprerjes së kontratës me turqit e Gaziantep.

Rikthimin e Veliut e ka konfirmuar për Telegrafin edhe drejtori sportiv, Zhdrella, i cili pret që sulmuesi këmbëshpejtë t’i shtojë cilësitë ekipit dhe t’u ndihmojë në arritjen e objektivave.

“Valmiri pritet të na bashkohet këto ditë në stërvitje. Kemi folur me menaxherët e tij, gjithçka është gati dhe e presim t’i bashkohet ekipit. Ai do të mund të luajë menjëherë pasi vjen si lojtar i lirë nga prishja e marrëveshjes me ish-klubin e tij”, ka thënë fillimisht Zhdrella për Telegrafin.

“Ai ka luajtur edhe më parë për Llapin dhe e njeh ekipin dhe ambientin. Cilësitë e tij janë të qarta dhe kuptohet që rrit edhe cilësinë e ekipit. Valmiri do të na ndihmoj drejt synimeve të këtij sezoni”.

Synimet e sezonit

Drejtori sportiv i “Legjendave” ka vazhduar të këmbëngul se Llapi i këtij sezoni është i nderuar për t’u rikthyer në garat evropiane, ndërsa titullin do ta synojë vetëm nëse i jepet rasti.

“Kemi pasur një nisje të mirë të sezonit dhe jemi të kënaqur me paraqitjet dhe lojën. E kam thënë edhe më parë, objektivi i Llapit është rikthimi në Evropë, pra një vend që dërgon në garat evropiane. Megjithatë, ne do të vazhdojmë t’i marrim ndeshje pas ndeshjes drejt arritjes së synimeve”, shtoi llapjani.

“Nuk e them se jemi për titull, pasi nuk e kemi nisur këtë sezon me këtë synim, por gjatë rrugës do të shohim nëse do na jepet mundësia, sigurisht që do ta tentojmë”.

“Për fund, ne stafi jemi të kënaqur me kryesinë pasi po na plotëson kërkesat dhe po na qëndron pas për çdo gjë. Jemi një grup shumë bashkëpunues”, përfundoi drejtori sportiv i Llapit.

Formacioni i Llapit me Veliun

Rikthimi i Veliut në Podujevë mund të shtojë edhe më shumë cilësitë e ekipit llapjan në fazën sulmuese.

23-vjeçari pritet ta marrë pozitën e sulmuesit të krahut të majtë, duke spostuar Jose Cobian në krahun e djathtë të sulmit dhe Trimor Selimin në krahun e djathtë të mbrojtjes. Muhamet Hyseni do të vazhdoj të mbetet qendërsulmues.

Në mesfushë, Batatina si duket preferon Ilir Krasniqin si ‘pivot’, ndërsa paksa më të avancuar dyshen Hamdi Namani dhe Arbnor Ramadani.

Mbrojtja do të formohej nga Ilir Blakqori në të majtë, Granit Jashari dhe Leotrim Bekteshi në qendër, Selimi i djathtë dhe Ilir Avdyli në portë.

Përveç tyre, Batatina do ta ketë edhe një bankë të fortë me emra të mëdhenj si Ahmed Januzi, Besar Musolli, Araz Abdullayev, Ergyn Ahmeti, Gentrit Limani, Benjamin Emini dhe Arbër Bytyqi, të cilët janë gjithmonë gati për një fanellë titullari.

Këtij ekipi të mbushur me emra mund t’u shtohen edhe lojtarë tjerë të talentuar si Elvir Gashijan, Diar Vokrri dhe Nderim Hasani, të cilët veçse kanë marrë minutat e parë këtë sezon.

Ndryshe, Llapi në ndeshjen e ardhshme udhëton te kampioni në fuqi, Ballkani, me takimin që pritet të zhvillohet të shtunën, më 30 shtator. /Telegrafi/ 

 


 

Exit mobile version