Ivan Perisic është duke kaluar sezonin si i huazuar te Bayern Munich.
Kampioni në fuqi i Bundesligës ka mundësinë ta blejë lojtarin në fund të sezonit, por ende nuk ka vendosur një gjë të tillë.
Megjithatë ka qenë trajneri i Bayernit, Hans Flick që ka konfirmuar se të gjithë në klub janë të kënaqur me kroatin.
31-vjeçari ishte titullar në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë, ku Bayerni fitoi 2-1 ndaj Frankfurtit, ndërsa kroati realizoi golin e parë në këtë takim.
“Sa i përket të ardhmes së Perisic, të gjithë te Bayerni jemi të bindur për cilësitë që ai disponon dhe që i ka treguar edhe në fushë”.
“Është gjithmonë gati për të dhënë kontributin e tij dhe për të ndihmuar skuadrën”, deklaroi tekniku i bavarezëve.
Bayerni e ka mundësinë për ta blerë sulmuesin anësorë për një shumë prej 20 milionë eurove.
Nëse bavarezët nuk e blejnë atë, atëherë e ardhmja e tij mund të jetë në Angli, ku Tottenham Hotspur dhe Manchester United kanë shprehur interesim. /Telegrafi/