Kombëtarja shqiptare tashmë e ka realizuar ëndrrën e saj për të qenë pjesë e një evenimenti madhor, siç është Kampionati Evropian i Futbollit, që do të mbahet në Francë gjatë këtij viti.
Pas humbjes 0:2 në Elbasan Arena ndaj Serbisë, futbollistët e Kombëtares shqiptare do të befasonin në përballje me Armeninë duke e mposhtur me rezultat të pastër 3:0.
Me këtë fitore, kombëtarja do të realizonte ëndrrën e të gjithë shqiptarëve për të qenë pjesë e Euro 2016.
Për të mirëpritur por edhe promovuar 24 ekipet kombëtare pjesëmarrëse në Euro 2016, 48 koshat e karuselit të madh të Sheshit La Concorde, 70 m i lartë, do të vishen me ngjyrat e Euro 2016, duke nisur nga e enjtja në mëngjes.
Pjesë e këtij promovimi nuk ka munguar as flamuri shqiptar që është shfaqur mbi karuselin e madh në Sheshin la Concorde në Paris, përcjell atsh.
“Nuk do të bëhet me ndriçim”, thotë Marcel Campion, shefi i karuselit. “Ne do të vëmë fytyrat e dy futbollistëve nga secila prej 24 ekipeve kombëtare, me flamujt e tyre”.
Gjithashtu, një film për Euro 2016 do të shfaqet në ekranin e madh, vendosur rrëzë karuselit.
Në saj të kësaj veprimtarie promovuese, financuar nga Bashkia e qytetit, karuseli është lejuar të qëndrojë në shesh deri në shtator.