Nicolo Zaniolo është shndërruar në një çështje te skuadra e madhe italiane Roma.
Sulmuesi italian kishte kërkuar largimin nga Roma gjatë afatit kalimtar të janarit, por oferta e vetme zyrtare erdhi nga skuadra angleze Bournemouth, derisa interesim shfaqi edhe Milan, por pa pasur mundësi financiare të bëj përpjekje.
Megjithatë pasi Zaniolo pa që nuk ka oferta të tjera vendosi ta refuzonte atë të Bournemouth, ofertë që ishte pranuar nga Roma.
Por qëndrimi i tij në Olimpico nuk po i pëlqen askujt dhe Jose Mourinho e tregoi këtë qartë në konferencën për shtyp, duke thënë se fatkeqësisht Zaniolo do të mbetet te Roma.
“Zaniolo ka një muaj që thotë se dëshiron të largohet. Fatkeqësisht, duket se kisha të drejtë. Unë them për fat të keq, sepse lojtari ka një muaj që thotë se dëshiron të largohet. Nëse një lojtar u thotë të gjithëve se nuk dëshiron të veshë më fanellën e Romës, më duhet ta them për fat të keq”.
“Situata ideale është që lojtari të jetë i lumtur. Unë thashë se prisja që ai të qëndronte, por siç janë gjërat sot, më duhet të shtoj për fat të keq kësaj fjalie”, deklaroi Jose Mourinho.
Sky Sports tani ka raportuar se pas deklaratës së Mourinhos vet Zaniolo dhe agjentët e tij kanë filluar të mendojnë edhe njëherë për ofertën e Bournemouth.
23-vjeçari edhe në rast se mbetet te Roma atëherë nuk do të luaj fare deri në qershor pasi klubi ka vendosur një gjë të tillë. /Telegrafi/