Site icon Telegrafi

FJALË DASHURIE

Walt Whitman thotë se ai që ecën për një minutë, pa dashuri, ecën i mbuluar me qefin drejt funeralit të tij, kurse Juan Rulfo te “Letër Klarës” thotë: Unë gjithmonë dhe kudo kam ecur me dashurinë time, derisa të gjeta ty dhe gjithë dashurinë ta dhashë ty.

Fragment nga letra e Juan Rulfos drejtuar Klara Aparisios
Përktheu: Bajram Karabolli

Qysh kur të kam njohur, dëgjoj një jehonë në çdo degë që përsërit emrin tënd, në degët e larta, të largëta, në degët që janë pranë nesh. Duket sikur jemi zgjuar nga një ëndërr në agim. Dëgjohet frymëmarrja në gjethe dhe lëviz ashtu si lëvizin pikat e ujit. Klara: zemër, trëndafil, dashuri … Në emrin tënd, dhimbja është një gjë e çuditshme. Është një gjë që na shikon dhe ikën, siç ikën gjaku nga një plagë, siç ikën vdekja nga jeta. Jeta mbushet me emrin tënd: Klara, e qartë, qartësi, ndriçim.

Unë do të vendosja zemrën time në duart e tua pa u penduar aspak. Pa pasur fare frikë, sepse e di se kujt ia jap. Dhe vetë zemra e ndjen se bie në dorën, e një zemre tjetër, kësisoj nuk ka frikë nga asgjë. E çfarë mbrojtje më të mirë do të kishte ajo se duart e tua, Klara? Më është bërë zakon të them emrin tënd ndërsa fle. E them atë edhe mes natës. Kanë mësuar ta thonë emrin tënd edhe pemët, edhe era. Madje, era e merr emrin tënd dhe e çon në male, e vendos atë në kallinjtë e arave me grurë. Edhe lumi murmurit Klara, Klara, Klara…

Klara: Sot kam mbjellë një pjeshkë me emrin tënd.

 

Exit mobile version