– Rreth librit 1981 (Vidhe këtë libër) të Agron Shalës, botim i Klubit Letrar “De Rada”, Ferizaj 2023 –
Nga: Skënder Zogaj
1.
Libri 1981 (Vidhe këtë libër) i Agron Shalës, është pa dyshim një nga botimet më të veçanta shqip në Kosovën e vitit 2023, jo vetëm për përmbajtjen dhe stilin e tij shkrimor, por edhe për rezonancën strukturore dhe qasjen e guximshme ndaj ideve letrare. Ky libër nuk është thjesht një rrëfim mbi nevojën krijuese, por një eksperiment beletristik që trazon perceptimet tradicionale mbi konturat e historisë dhe të letërsisë. Agron Shala ndërton një narrativë ku faktet historike, reflektimet personale dhe eksperimentimi gjuhësor, ndërlidhen për të krijuar një tekst që sfidon çdo kornizë të zakonshme të shoqërisë, që është e kushtëzuar nga paradokset e subkoshiencës shpirtërore dhe realitetit që e përfton. Me një strukturë fragmentare, por konceptualisht të qëndrueshme, libri nuk është vetëm një pasqyrim i një periudhe të rëndësishme historike të shoqërisë, por është një thirrje për të rilexuar të kaluarën e tashme dhe të tashmen e ardhshme, me një sy kritik dhe reflektues. Kjo qasje e thellë synon të zbulojë se si narrativat e ndërgjegjshme kanë ndikuar dhe ndikojnë në ndërtimin e realitetin tonë.
Autori e kërkon një tregim të zakonshëm për të ritreguar të jashtëzakonshmen e zhvillimeve poliedrike para dhe pas vitit 1981 në Kosovë. Lexuesi ballafaqohet me një tekst që eksperimenton me formën, përmbajtjen dhe idetë, duke sfiduar aktin e artit të leximit, si një ritual letrar, në një peizazh ku shpesh mbizotëron konvencionalja. Ironia e fshehur dhe qasja e ndërgjegjshme ndaj ligjërimit tradicional, e bëjnë këtë libër një akt kritik dhe subversiv, që nga titulli.
Slogani 1981 (Vidhe këtë libër) shfaqet si një manifest estetik dhe intelektual, që shkon përtej botës materiale e shqisore, duke u ndërlidhur me një kujtesë arketipale në kërkim të së vërtetës. Kjo qasje e bën Agron Shalën një zë të veçantë në publicistikën bashkëkohore shqipe, duke sfiduar perceptimet dhe duke ofruar një mënyrë të re të të lexuarit dhe të të kuptuarit të historisë.
2.
Libri me titull subversiv 1981 (Vidhe këtë libër) është një analizë e guximshme, shumëdimensionale dhe e thelluar mbi tema, çështje aktuale historike, shoqërore, kulturore, ideologjike dhe socio-politike, me fokus në Kosovë dhe përtej saj. Në qendër të qëllimit të autorit qëndron një kritikë e ashpër ndaj censurës dhe mënyrës se si historia dhe realiteti aq shpesh tentohet të manipulohen.
Kapitulli i parë hapet me një hyrje intriguese të autorit Agron Shala, i cili eksploron natyrën e fjalës dhe simbolikën metafizike që ajo mbart në perceptimin tonë. Shkrimi niset me referencën biblike: Në fillim ishte Fjala … (Gjoni 1:1), të cilën autori e përdor si pikënisje për një reflektim të thellë mbi rëndësinë e fjalës (si e para, fillestarja), si element themelore të mendimit dhe të gjuhës. Në këtë kontekst, ai ndërton një analizë filozofike mbi ndërlidhjen mes fjalës dhe numrit një, duke shpjeguar:
Ky kapitull, i pari i këtij libri, fillon me “një” numër dhe me “një” fjalë. Kur jemi te fjala, fillon me shkronjën e parë të fjalës së parë në këtë faqe. Me bashkëtingëllore; me “nj”, që është shkronja e njëzetë në alfabetin e gjuhës shqipe. Është bashkëtingëllore “e veçantë”, si çdo tjetër te shqiptarët, sepse bashkëtingëllon me zanoren “ë” dhe lexohet … si “një”, pra! Në këtë rast, fjala është për një numër të shqiptuar, sepse në gjuhën shqipe kjo “një”-ja është edhe nyjë joshquese … (f. 23).
Ky fragment reflektiv luan me idenë e gjuhës si pikënisje, duke ndërthurur një qasje analitike dhe filozofike mbi fjalën dhe numrin një. Autori krijon lidhje simbolike mes numrit, shkronjës dhe konceptit të fillimit, duke e rikontekstualizuar frazën biblike Në fillim ishte Fjala … te Ungjilli i Gjonit, si një reflektim mbi krijimin dhe ekzistencën. Me mjeshtri, autori eksploron shumëkuptimësinë e një-s në gjuhën shqipe – si numër, si fjalë dhe si nyjë joshquese – duke nxjerrë në pah veçantinë e saj semantike. Duke cituar dhjetëra mendimtarë të njohur që nga lashtësia deri në kohët moderne, për të argumentuar rolin dhe rëndësinë e fjalës dhe numrit në formësimin e realitetit, ai thekson se numri një simbolizon risinë, fillimin, (ri)lindjen, dhe e ilustron këtë ide me Revolucionin Borgjez Francez i cili pasi përmbysi monarkinë, u njoh si Fillimi i Vitit Një. Një paralele e ngjashme vihet edhe me Kosovën e vitit 1981, e cila nisi udhëtimin e saj drejt lirisë – një fillim i ri në historinë e saj.
3.
Duke ngritur dilema filozofike apo konceptuale mbi identitetin dhe ekzistencën, autori Agron Shala, në kapitullin e dytë Jam, prandaj kujtoj … mësoj! (f. 35) eksploron një retrospektivë mbi komunizmin, tjetërsimin dhe propagandën ideologjike në Jugosllavi, duke trajtuar mashtrimet dhe luftën kundër dijes në funksion të krijimit të Njeriut të Ri – një konstrukt që regjimet totalitare synonin për të manipuluar ndërgjegjen dhe edukimin e njerëzve. Kjo narrative është zbatuar veçanërisht në kontekstin historik të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Kapitulli tretë Atje poshtë diku (f. 61), paraqet një metaforë të fuqishme për realitetin e shtypur të Kosovës – kopshtin e izoluar dhe të survejuar nga regjimi komunist, ku njeriu detyrohet të bëjë Jetë buburreci (kapitulli IV, f. 73) – pra, një ekzistencë absurde dhe e parëndësishme brenda sistemit totalitar, nën trysninë e propagandës serbe dhe politikave të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Kjo situatë është e ngjashme me realitetin e Metamorfozës së Kafkës. Narrativa thellohet dhe zgjerohet edhe në kapitujt vijues të librit:
– Bob-çorba (Kap. V, f. 87) – që paraqet refleksionet e përzierjes kaotike të ideologjive, historive dhe realiteteve të përditshme;
– Urrejtja, mitet dhe “pauzat” historike në Ballkan (Kap.VI, f. 93) – ku analizohet ndikimi i miteve në historinë ballkanike, me një qasje kritike ndaj nacionalizmit dhe manipulimit të së kaluarës për qëllime politike;
– Iluzioni përballë shëmtisë (Kap. VII. f. 107) – ku autori eksploron përplasjen mes realitetit të ashpër dhe iluzioneve që njerëzit ndërtojnë për të shmangur përballjen me të vërtetën.
– Historia me rrjeta merimange (Kap. VIII. f. 115) – përshkrimi i historisë si një rrjet i ndërlikuar gënjeshtrash dhe manipulimesh ku hegjemonizmat primitivë shfaqen në formë të neveritshme.
– Fajtori i përhershëm nga Lindja: Rreth armikut të përbashkuar! (Kap. IX, f. 119) – që është një analizë kritike mbi historinë e rreme, të ndërtuar me idenë perfide të shpikjes së një “armiku të përbashkët,” sajesë e fabrikuar për të justifikuar shtypjen dhe për të nxitur konflikte e përçarje ndërnjerëzore.
4.
Agron Shala është një vrojtues i mprehtë dhe erudit, i cili me një sens të hollë analize shënjestron dhe zbërthen fenomene të rëndësishme dhe domethënëse të realitetit shoqëror dhe historik. Ai e vendos këtë analizë në funksion të demistifikimit të së kaluarës, duke nxjerrë në pah të vërteta të mbuluara nga mjegullat e propagandës dhe keqinterpretimeve historike. Me një stil analitik dhe me vëmendje të veçantë ndaj detajeve, autori ndërton një panoramë të qartë të ngjarjeve dhe proceseve që kanë formësuar shoqërinë tonë. Përmes këtij procesi të demistifikimit, Shala jo vetëm që rikthen një kuptim më të thellë e më të saktë të së kaluarës, por edhe kontribuon në ndriçimin e perspektivave për të ardhmen.
Është për t’u vlerësuar mënyra se si ai përthith mendimin e mendjeve të ndritura botërore dhe i citon me një finesë të shkëlqyer krijuese, duke sjellë në shqip koncepte të panjohura ose të pashqyrtuara më parë. Sinteza e ideve të huazuara nga literatura e huaj, në librin e Agron Shalës “natyralizohet” në nivel të origjinalit, sepse temat që i trajton janë universale, pavarësisht nga variacionet e tyre të diktuara nga rrethanat historike dhe shoqërore. Ky raport mes universalitetit të ideve dhe specifikave lokale është një nga shtyllat themelore të preokupimit të tij shkrimor, duke e bërë atë një urë të fuqishme lidhëse mes mendimit botëror dhe kontekstit shqiptar.
Në veprën e tij, Shala nuk kufizohet thjesht në referimin e mendimtarëve të mëdhenj, por i rindërton idetë e tyre përmes një lenteje kritike dhe krijuese, duke i integruar organikisht në diskursin e tij. Ky proces e bën analizën e tij unike dhe të vlefshme, duke sjellë një qasje të re në trajtimin e temave historike, filozofike, shoqërore dhe politike. Përmes këtij universalizimi të mendimit, Shala jo vetëm që pasuron kulturën shqiptare, por edhe krijon një model të thellë reflektimi, ku idetë nuk mbeten të izoluara, por hyjnë në dialog të vazhdueshëm me njëra-tjetrën duke gjeneruar koncepte vizionare që synojnë inovacion dhe zhvillim të mendimit intelektual.
Gjendjet mendore personale e shoqërore; frika, lufta, liria, libri … janë tema thelbësore të trajtuara me kujdes në këtë libër, duke marrë një dimension metafizik dhe duke kapërcyer kuptimet e zakonshme të komunikimit të përditshëm. Frika nga e panjohura paraqitet si një mallkim, pasi perceptohet dhe shprehet instinktivisht, duke u shnd[rruar në një sediment të ndërgjegjes kolektive. Autori e eksploron këtë fenomen me vëmendje duke nxjerr në pah të vërtetën se shqiptarët, të okupuar me shekuj dhe të shtypur nën trysninë e frikës, kanë pësuar ndryshime të thella ndërgjegjësore që janë të pranishme dhe kanë ndikim edhe sot. Në këtë kontekst Shala pajtohet me Vaske Niçon, i cili thotë: Shqiptarët krijojnë shtete të organizuara me një çorganizim të përsosur (f. 154).
Ky “peshqesh” është padyshim një trashëgimi e shekujve nën Perandorinë Osmane, e cila ka lënë gjurmë të thella në vetëdijen kolektive përmes dhunës, religjionit, konvertimeve, ndalimit të shkollimit në gjuhën amtare etj. Një dëshmi domëthënëse e kësaj politike është fakti se më 1871, në Prizren hapet një seminar ortodoks me lidhje të ngushta me Serbinë, dhe numri i shkollave serbe arrinte në rreth dyqind (f. 137). Kjo ndodhte pikërisht në një kohë kur Perandoria Otomane u kishte njohur të drejtat kombëtare popujve tjerë, por jo shqiptarëve.
Ku është gabuar? – pyet autori dhe përgjigjen e gjen te Mit’hat Frashëri: Sa të munt shqiptari të lërë shtëpinë e të fitojë bukën në vende të huaja, s’shprehet ndonjë përmirësim (f. 140). Ndësa e vulos Faik Konica: Armiqtë e Shqipërisë janë vetë shqiptarët, jo të tjerët! (f. 153). Shpresa e autorit është e zymtë edhe sot e kësaj dite, kur shfleton raportin e vlerësimit të PISA-s për suksesin e shkollave të Kosovës në vitin 2019, dhe në listën me 79 vendeve të botës, Kosovën e gjen në bisht të listës, në vendin e 77-të!
Te Kapitulli XIII, Prishtina autori me një super analizë e tregon historikun e këtij qytetit, i cili në vitin 1948 shpallet Kryeqytet i Kosovës, por që mbetet qendër e brishtë:
… Prishtina, ky fëmijë që rritet ngadalë dhe me traumat që duhet të shërohen. Kur vjen shërimi, Prishtina këtë s’e di. As nuk i ngutet. Koha e saj është relative. Pa orar, sikurse linjat e transportit të saj lokal (f. 189).
Kjo përgjumje është pasojë e rrebesheve që Prishtinën e kanë rrahur nga lashtësia, duke i shkaktuar trauma nga Mesjeta, sundimi osman e deri te robëria serbe, që e kanë rjepur për së gjalli, për t’ia ndryshuar identitetin. Zbulimet arkeologjike tregojnë se në afërsi të Prishtinës ndodhet lokaliteti Ulpianës, që e vërteton kujtesën për vlera monumentale materiale e shpirtërore që janë grabitur ose shkatërruar. Prishtina si kryeqytet nuk është se nuk ka bërë përpjekje për t’u zhvilluar, mirëpo, për orvatjet e saj ka shumë dyshime, sepse, shumë nga ndryshimet kanë qenë jonormale, sepse në emër të modernitetit janë asgjësuar vlera të shumta të çmueshme autoktone, që në libër theksohen me emra e me shifra. Autori konstaton: … Prishtina është symbol i kaosit shoqëror, mirëpo edhe i ndryshimit dhe përparimit … që e kanë irrituar Serbinë e cila si mace e kreshpëruar ka pritur çastin për ta sulmuar dhe shkatërruar Kosovën. Dhe, çast i volitshëm bëhet viti 1981 (Kap. XIV, f.199), që shfaqet si “bombë e kurdisur” në duart e turmave studentore të cilat kërkojnë që Kosova të ishte republikë!
Te Dosja ’81 (f.202) evidentohet situata e tensionuar, sidomos kur kërkesat fillestare ngatërrohen dhe marrin karakter edhe ideologjik. Këtë Serbia e shfrytëzoi për të aplikuar dhunë kundër shqiptarëve (f. 205) dhe që të realizohet pushtimi ushtarak dhe imponimi i regjimit kolonial (f. 208) Errësira koloniale kapërthen Kosovën, por shqiptarët e ushtruar me jetën e gjatë nën robëri, jo vetëm që nuk dorëzohen, por edhe tentojnë të rezistojnë, duke krijuar sistemin paralel, të pavarur nga pushtuesi. Koha rrjedhë me shumë vuajtje e mundime, por nuk ndalet, madje shkon në drejtimin e dritës. Dhe, siç dihet – nuk ka hyrje pa Dalje (Kap. XV, f. 217)!
Agron Shala nuk lëshon pe. Prirja e tij për interpretimin e gjërave – anktheve – zhvillohet me sukses duke e shoqëruar lexuesin rrugëtimin ku fjala dhe mendimi ndërthuren deri te plus-minus infiniti i një-shit. Dhe si një analist serioz, autori e përmbyll veprën duke cituar Denis Fairchildin: Zbulimi i vetvetes; ndryshimet në botën e brendshme; studimet dhe dokumentet kredenciale; përqendrimi në filozofi dhe në ligje.
Në fund të librit 1981 (Vidhe këtë libër) janë shtojcat: Të tjerët për librin dhe Bibliografia me një listë prej 280 librash dhe po aq revistash e gazetash të cituara, që dëshmojnë përkushtimin serioz dhe punën e mundimshme të Agron Shalës në këtë vepër publicistiko-beletristike. /Telegrafi/