Në fundjavë është zhvilluar xhiroja e 13-të në Superligën e Femrave në basketboll.
Derbin e fitoi Bashkimi ndaj Penzës me rezultat 74-70. Për vashat prizrenase ishte fitorja e nëntë, ndërsa numërojnë edhe katër humbje, kurse pejanet kanë dhjetë fitore e tri humbje.
Me fitore ka vazhduar Prishtina. Skuadra prishtinase ka regjistruar fitoren e 13-të në po aq ndeshje të zhvilluara. Kryeqytetaset kanë mundur në udhëtim Vëllaznimin me rezultat 51-110.
Ndërkohë, skuadra kuqezi ka tri fitore e dhjetë humbje. Më e dalluara e ndeshjes ishte Sarah Mgbeike që e përfundoi ndeshjen me 37 pikë e 19 kërcime.
Trepça ka shënuar fitore të pritur ndaj Kastriotit me rezultat 139-41, kurse ndeshje të jashtëzakonshme bëri Tasharra Jefrie me 54 pikë, 12 kërcime, 13 asistime dhe 15 topa të vjedhur.
Mitrovicaset kanë katër fitore e nëntë humbje, kurse ferizajaset kanë 13 humbje në po aq ndeshje.