Site icon Telegrafi

Fitimi i bankave rreth 25 milionë euro

Bazuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë katër muajve të parë të këtij viti, fitimi i bankave ka arritur në 24.5 milionë euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, të gjitha bankat komerciale në vend kishin arritur një profit prej 28.7 milionë euro, apo 4.2 milionë euro më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Më tej në raportin e BQK-së shihet se të hyrat e bankave nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit prill kanë arritur në 76.7 milionë euro, ku nga kjo shumë 58.9 milionë euro janë të hyra nga interesi. Ndërkaq, gjatë periudhës së njëjtë kohore shpenzimet e bankave kanë arritur në 52.2 milionë euro, ku 31.4 milionë euro janë shpenzime administrative.

Gjithnjë bazuar në raportin e BQK-së shihet sa gjatë kësaj periudhe kohore në Kosovë ka pasur ngritje të interesit në kredi dhe rënie të normës së interesit në depozita. “Gjatë muajit prill të këtij viti norma mesatare e interesit për kredi ka qenë 7,7 % derisa një muaj më herët ajo ka qenë 7,4 %. Ndërkaq norma mesatare e interesit në depozita gjatë prillit të këtij viti ka qenë 0,8 %, derisa një muaj më herët ajo ka qenë 0,9 %”, thuhet në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version