Llogaritë e bllokuara dhe pasuria e ngrirë e “TRANSMET-it” tani për tani nuk janë pengesë për kompaninë e ndërtimit të Sead Koçanit të vazhdojë me kryerjen normale të aktiviteteve të saj. Edhe pse Gjykata Penale kohë më parë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, e ngriu pronën dhe llogaritë bankare të “TRANSMET-it”, kompania e të dyshuarit në rastin “Trust” edhe sot në mënyrë aktive punon në terren.
Mekanizimi ndërtimor i kompanisë TRANSMET sot punonte në revitalizimin e pjesës së unazës së Shkupit që ishte dëmtuar gjatë përmbytjeve të vitit të kaluar. Ky është biznesi i fundit i madh që kompania e Koçanit e ka marrë nga shteti. Marrëveshja që peshon 2.7 milionë euro është lidhur në procedurë të negociuar pa u shpallur paraprakisht tender.
Afati i fundit për rehabilitimin e unazës ka skaduar tashmë, por tani për tani nuk ka sqarime nga institucionet kompetente nëse dhe çfarë do të ndërmarrin për mosrespektimin e kontratës nga ana e “TRANSMET-it.”
Në faqen e internetit të kompanisë së ndërtimit, e cila ishte një nga më të angazhuarat nga shteti në vitet e fundit, thuhet se punojnë edhe në autostradën Kërçovë – Ohër, si dhe në qendrën e biznesit “Emporio”.
Bëhet fjalë për një partneritet publik-privat të komunës Gjorçe Petrov. Kompania e Koçanit fitoi tenderë edhe për rinovimin e një pjese të fasadave në qendër të Shkupit. Disa nga juristët komentojnë se bllokimi i llogarive dhe ngrirja e pronës është masë mjaft restriktive kur ka dyshime se është dëmtuar buxheti i shtetit, ashtu siç është rasti “Trust”.
Prokuroria Speciale dyshon se Sead Koçan me kompaninë e tij “TRANSMET” me anë të dokumenteve të falsifikuara ka fituar tender nga kompania shtetërore ELEM me vlerë prej 17 milion eurove.
https://www.youtube.com/watch?v=pachFQQKic8