Duke filluar nga data 21 shkurt e deri më datë 25 shkurt, qyteti i Rahovecit, do të jetë nikoqir i Final 8 të Ligës së Parë të basketbollit të Kosovës në konkurrencën e meshkujve.
Një ngjarje të tillë ku pritet të marrin pjesë të gjitha ekipet e Ligës së Parë të basketbollit, ka rëndësi të veçantë jo vetëm për sportin e basketbollit, por edhe për qyetin e Rahovecit, dhe klubin e basketbollit “Grapeland”, që së bashku me Federatën e Basketbolli të Kosovës, janë organizues të kësaj ngjarjeje sportive.
Sa i përket orarit të zhvillimit të përballjeve në kuadër të kësaj gare, ndeshja e parë hapëse zhvillohet me datë 21 shkurt 2025, në mes të KB Grapeland dhe KB Vushtrria, duke filluar nga ora 14:30.
Ndërsa të shtunën zhvillohen tri ndeshjet tjera çerekfinale në mes të KB Kosovari-KB Kerasan, KB Istogu- KB Borea dhe KB KEKU- KB New Basket, për të vazhduar të dielën me ndeshjet gjymëfinale, ndëra të martën zhvillohet ndeshja finale, dhe përmbyllëse e kësaj gare.
Sa i përket rëndësisë së organizimit të kësaj gare nga ana e KB Grapeland, Indrit Krasniqi, kryetar i klubit ka thënë për Telegrafin se organizimi i kësaj gare i jep mundësinë klubit që ta promovoj sportin e basketbollit edhe më shumë.
“Organizimi i kësaj gare është jashtëzakonisht i rëndësishëm për klubin tonë, jo vetëm për shkak të formës së lartë që po tregojmë në Ligën e Parë pa asnjë humbje, por edhe për faktin që kjo na jep mundësinë të promovojmë sportin e basketbollit dhe të forcojmë lidhjen me tifozët tanë. Është një mundësi e shkëlqyer për të treguar përkushtimin dhe profesionalizmin tonë si klub, duke krijuar një ambient garues të nivelit të lartë”, ka thënë fillimisht Krasniqi.
Ndërsa Krasniqi ceku edhe arsyen që e ka shtyrë klubin e tyre që ta organizojnë këtë garë së bashku me FBK-në.
“Arsyeja kryesore që na ka shtyrë të bashkë-organizojmë këtë ngjarje sportive me FBK-në ka qenë dëshira për të kontribuar në zhvillimin e basketbollit në vend dhe për të ofruar një eksperiencë unike sportive për të gjithë pjesëmarrësit dhe tifozët. Kjo iniciativë reflekton vizionin tonë për të qenë një faktor kyç në avancimin e sportit dhe për të promovuar vlerat e konkurrencës së ndershme dhe sportivitetit. Shprehim mirënjohje dhe falënderim të veçantë për FBK-në për bashkëpunimin dhe mbështetjen në realizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme”, përfundoi kryetari i Grapeland.
Theksojmë që të gjitha ndeshjet e FINAL 8 të Ligës së Parë të basketbollit në vendin tonë do të zhvillohen në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec. /Telegrafi/