Telegrafi

Fillon prodhimi i Volvos më të sigurt në histori

Pas gati dy vitesh nga prezantimi i tij, Volvo ka filluar prodhimin e një modeli të ri. Është modeli EX90, homologu elektrik i EX90 të krijuar, që Volvo prezantoi para opinionit gati dy vjet më parë.

Njësia e parë u prodhua në ngjyrë të kaltër dhe sapo ka dalë nga linja e prodhimit në fabrikën në Charleston, Karolina e Jugut. Do t’i dërgohet një klienti amerikan, transmeton Telegrafi.

SUV-i i madh me tri palë ulëse përdor një platformë të re, dhe në konfigurim Twin Motor Performance jep mbi 517 kuaj-fuqi.  Shpejtësinë 100 km/h e arrin për më pak se 5 sekonda, ndërsa distanca, falë baterisë së madhe 111 kWh, është në nivelin e 600 kilometra.

I ngarkuar me sensorë dhe teknologji të shumta, ky model mban epitetin e Volvo-s më të sigurt në histori. Ka një kamerë për monitorimin e mjedisit në 360 gradë, pesë radarë dhe 16 sensorë ultrasonikë, të gjitha për të krijuar një mjedis sa më të sigurt.

Dorëzimi i njësive të para të modelit ishte planifikuar për në fillim të vitit 2024, por prodhimi u vonua për shkak të problemeve me softuerin.

Tani prodhimi më në fund ka filluar dhe Volvo shpreson të shesë 600,000 automjete elektrike deri në vitin 2025. Modeli ndan një linjë prodhimi me modelin S60, i cili ka parë rritje të konsiderueshme të shitjeve kohët e fundit. /Telegrafi/