Site icon Telegrafi

Fillon fushata e korrje-shirjeve, Peci: Këtë vit Kosova ka të mbjella rekord që nga periudha e pasluftës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, mori pjesë në fillimin fushatës së korrje-shirjeve në Republikën e Kosovës.

Sipas një njoftimi për media thuhet se në në fshatin Suhodoll, në tokën e mbjellë nga fermeri Valon Vehapi, Kurti përgëzoi për punën dhe tha se këta po punojnë në mënyrë që ta kemi bukën tonë në sofrën tonë nga toka jonë.

“Jemi shumë të lumtur që kemi një verë të jashtëzakonshme sa i përket edhe punës edhe produktit. Janë 66 mijë hektar tokë, të cilat janë mbjellë e duhet korrur, por njëkohësisht kjo po ndodhë në kohën kur janë rritur si asnjëherë më parë gjithandej subvencionet, ndihmat, mbështetjet financiare, që ne ua bëjmë fermerëve tanë”, tha Kurti.

Ndërkaq, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, pasi përgëzoi fillimin e korrje-shirjeve tha se këtë vit Republika e Kosovës ka të mbjellat rekord që nga periudha e pasluftës.

“Fermeri i Kosovës është më i përkrahuri në rajon. Ne e kemi rritur perfomancën me të mbjellat dhe niveli i kënaqshmërisë me të mbjella i fermerëve, me institucionet dhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës, është tejet i kënaqur”, tha Ministri dhe shtoi se të gjitha reformat që i kanë ndërmarrë në aspektin e politikave, legjislacionit dhe rritjes së përkrahjes, thjeshtësimit dhe procedurave në procesin e aplikimit e të tjera, nuk do të ishte i mundur pa përkrahjen e Qeverisë, në këtë rast të kryeministrit Kurti.

Ndërsa siç thuhet në njoftim, fermeri Vehapi tha se është një ditë e bereqetshme, për arsye se grumbullohet buka për qytetarët e vendit tonë. /Telegrafi/

Exit mobile version