Sipas Drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, Shpend Nuhiu, vetëm në shkollën fillore të mesme të ulët “Nazmi Hoxha” mësimi nuk është mbajtur gjatë dy ditëve të para për shkak të një problemi teknik me ngrohjen.
“Vetëm në shkollën SHFMU ‘Nazmi Hoxha’ ka pasur një prishje në trafon e shkollës, çka ka ndaluar një fazë të furnizimit me energji elektrike dhe si pasojë nuk ka funksionuar ngrohja. Për këtë arsye, mësimi nuk është mbajtur dje dhe sot,” ka thënë Nuhiu për Telegrafin.
Ai ka konfirmuar se problemi tashmë është zgjidhur, ngrohja ka filluar të funksionojë dhe nga nesër procesi mësimor do të rifillojë normalisht.
Ndërkohë, Nuhiu ka theksuar se në të gjitha shkollat e tjera të Gjilanit nuk ka pasur asnjë vështirësi, duke uruar nxënësit për një fillim të mbarë të kësaj periudhe mësimore. /Telegrafi/