Festivali i Këngës në RTK është njoftuar së fundmi se do të mbahet në Pallatin e Rinisë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një postim të ndarë në rrjete sociale.
Ai thekson se është pastruar në tërësi salla e djegur e Pallatit dhe se është gati për edicionin e parë të këtij kompeticioni muzikor.
Postimi i plotë i Ramës (pa ndërhyrje):
“Po i kthehet gjallëria Pallatit të Rinisë!
Për ngjarje të mëdha kulturore e me shumë rëndësi duhet bashkëpunimi.
Së bashku me Ministrinë e Kulturës po e rikthejmë Pallatinë e Rinisë në kryefjalën e kryeqytetit. Po e kthejmë në skenën më të madhe të muzikës shqipe, ku për tre netë me radhë do të zhvillohet për herë të parë Festivali i Këngës në RTK.
E kemi pastruar në tërësi sallën e djegur të Pallatit dhe tani po ja lëmë të kaluarës. Këtë javë kjo hapësirë do të mbushet me njerëz si dikur, do të brohorasin për këngën e këngëtarin e preferuar, do të kënaqen me tingujt e magjishëm të muzikantëve tanë, nën organizimin e jashtëzakonshëm e me plot përkushtim të drejtorit të festivalit, Adi Krasta.
Ne si Kryeqytet bashkë me Pallatin e Rinisë dhe Ndërmarrjen Publike Banesore kemi ndarë 350 mijë euro investim për ta jetësuar këtë projekt të ringjalljes së ikonës së Kryeqytetit.
Gjithmonë te gatshëm dhe bashkëpunues për të mirën e qytetarëve tanë”. /Telegrafi/