Kombinimi i aktiviteteve blegtorale me ato në sektorin hortikulturës, po del të jetë mjaft i leverdishëm për fermerët vendor. Shumë fermerë kanë bërë kombinime duke kultivuar perime dhe produkte te tjera bujqësore, por ka edhe prej atyre që kultivojnë drithëra dhe merren me blegtori, madje ka edhe të atillë që këtyre aktiviteteve ua shtojnë edhe bletarinë.
Fadil Abazi nga fshati Dumnicë e Mesme e Komunës së Vushtrrisë, merret me blegtori tash e disa kohë. Ai tregon se duke e parë leverdinë e blegtorisë e ka zgjeruar aktivitetin bujqësore edhe me bletari nga e cila thekson se ka mjaftë leverdi.
Fermeri Abazi thotë se aktualisht ka pesë lopë qumështore si dhe rreth 100 koshere me bletë. “Tash kemi pesë lopë qumështore dhe pritet që shumë shpejtë që disa nga to të na shtohen. Aktualisht prodhimtaria e qumështit shkon deri në 50 litra në ditë”, tha ai.
Ky fermer tregon se ka leverdi nga marrja me bujqësi respektivisht me blegtori, por që nuk janë aq të kënaqur me çmimet që u ofrohen nga grumbulluesit për qumështin e prodhuar nga ta. “Po qumështin e prodhuar e shesim në fshatin tonë është pika grumbulluese, aktualisht çmimi për litër të qumështit është 30 centë, ky çmim është i ulët dhe nuk jemi të kënaqur me të”, thekson Fadil Abazi fermerë nga Dumnica e Mesme e Vushtrrisë.
Ai thekson se edhe marrja me bletari është treguar e suksesshëm pasi që tash e katër vite është duke e aplikuar edhe këtë veprimtari. “Me bletari kam filluar të merrem para katër viteve, jam shumë i kënaqur me to dhe ka leverdi. Vazhdimisht kam shkuar duke i rritur numrin koshereve, tash kam rreth 100 koshere dhe kam plane që në të ardhmen ta rrisë numrin e tyre edhe më shumë”, thotë Abazi.
Ai tregon se marrja me blegtori është e leverdishme, por që edhe bletaria sipas tij, po tregohet mjaft fitimprurëse. Fadil Abazi ka thënë se deri më tash nuk ka pasur përkrahje, derisa tregon se ka aplikuar për subvencione dhe është duke e pritur Qeverinë e Kosovës për t’ua ndarë mjetet.
Ndërkaq, Ministria e Bujqësisë, viteve të fundit ka zgjeruar përkrahjen e saj për shumë sektor të bujqësisë e po ashtu edhe për blegtorinë.
Zyrtarët e kësaj ministrie, kanë thënë se sikur viteve të kaluar edhe këtë vit ka pasur përkrahje për fermerët të cilën merren me blegtori e po ashtu edhe me bletari.
Sipas tyre fermerët që kanë pesë lopë qumështore do të marrin nga 50 euro për krerë ndërsa bletaret që kanë më shumë se 30 koshere me bletë do të marrin nga 10 euro për to./FermaIme/Telegrafi/