Komuna e Ferizajt gjatë këtij viti shkollor ka trajnuar gjithsej 347 mësimdhënës të niveleve të ndryshme, duke filluar nga edukatoret e deri te klasat e dymbëdhjeta, por në mesin e tyre janë trajnuar edhe 22 mësimdhënës të cilët kanë të bëjnë me rishikimin e teksteve mësimore. Kjo për shkak se shpeshherë testet nëpër shkolla kanë qenë jashtë natyrës së mësimit dhe nuk janë përputhur me përmbajtjen e kurrikulës, andaj mësimdhënësit janë trajnuar që telashe të tilla Ferizaj të mos përsëritën.
Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë për Telegrafin se të gjithë pajtohen se në nivel të vendit procesi mësimor nuk është në nivelin e duhur, andaj kjo ka shtyrë ekzekutivin dhe kryetarin e Komunës, Agim Aliun të marrë hapa konkret për ta përmirësuar gjendjen.
Sipas Llabjanit, nivelin e arsimit në Kosovë e ka treguar edhe testi PISA dhe disa teste të tjera.
“Duke e parë këtë çështje se diçka është e rëndësishme dhe e domosdoshme për të filluar për të punuar në këtë drejtim, jo vetëm komuna e Ferizajt, por edhe sistemi arsimor në përgjithësi në Republikën e Kosovës, ne si Komunë e Ferizajt kemi bërë disa hapa në këtë drejtim. Hapat e parë që kemi ndërmarr janë trajnimi i mësimdhënësve, andaj gjatë këtij viti shkollor ne kemi trajnuar 347 mësimdhënës të niveleve të ndryshme duke filluar nga edukatoret e deri te klasat e dymbëdhjeta”, ka thënë Llabjani.
Sipas tij, e veçanta e këtyre trajnimeve ka qenë këtë vit e cila lidhet direkt me një nga faktorët që lidhet me cilësinë në arsim, e që është rishikimi i teksteve mësimore.
“Ne si komunë e Ferizajt kemi qenë përfitues të një projekti në kuadër të Bashkimit Evropian, ku kemi qenë të përfshirë si komunë për trajnimin e 22 mësimdhënësve të cilët kanë pasur të bëjnë me rishikimin e teksteve mësimore. Ne e dimë se një nga faktorët kryesor që ndikon në ngritjen e cilësisë së mësimit janë edhe tekstet mësimore për shkak të shumë të metave që kanë në përmbajtje, por edhe në aspektet e tjera”, ka thënë Llabjani.
Sipas tij, në kuadër të projektit, komuna e Ferizajt ka qenë e përfshirë në dy fusha korrikulare: Jeta dhe Puna dhe Shkathtësitë për Jetë.
“Në kuadër të kësaj kanë qenë të përfshirë mësimdhënësit e klasave të pesta, të teta dhe gjimnazi në klasat e dhjeta dhe njëmbëdhjeta. Në bazë të kësaj kemi arritur ta bëjmë një grup të mësimdhënësve më të dalluar në Komunën e Ferizajt të cilët pastaj nga trajnimet që kanë kemi arritur që të japim disa imputo shumë të rëndësishme në lidhje me rishikimin e testeve mësimore që kanë të bëjnë me historinë, Gjeografisë, Biologjisë dhe me nivelin e klasave të pesta”, ka thënë midis të tjerash Llabjani.
Llabjani shton se me trajnime të tilla të mësimdhënësve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. /Telegrafi/