Site icon Telegrafi

Ferizaj përgatitet në Durrës

Drejtuesit e klubit kanë thënë se kjo fazë e përgatitjeve është paraparë që të zhvillohet jashtë Ferizajt për shkak të kushteve me të mira dhe mundësive që ofron ky qytet.

Mësohet se për në Durrës kanë udhëtuar 24 lojtarë dhe shtabi teknik dhe se gjatë qëndrimit një javor atje do të punohet në bazë të një plani të hartuar nga shtabi teknik.

Drejtori i klubit, Naser Sinani, ka thënë se gjatë qëndrimit në Durrës do të shfrytëzohet i tërë potenciali që ofrohet ngase në Ferizaj kushtet klimatike nuk lejojnë të zbatohet ajo që është planifikuar nga trajneri Bylbyl Sokoli.

Sinani, ka thënë se veç përgatitjeve është menduar edhe zhvillimi i ndonjë ndeshjeje kontrolluese me ndonjë skuadër.

Për më tepër mësohet se nga klubi pas edicionit vjeshtor janë larguar tre lojtarë, Astrit Fazliu, Samir Sahiti dhe Shkumbim Salihu, ndërsa klubi ka menduar që t’i mbuloj këto boshllëqe me angazhimin e tre lojtarëve, Genc Hysenin, Visar Zogianin dhe Mirsad Idrizin.

Drejtori Sinani, thotë se këto janë zëvendësime adekuate dhe se ekipi i Ferizajt nuk është më i dobët se në sezonin e kaluar dhe se është njëri ndër konkurruesit kryesor për titull.
Ferizajasit para një jave ia kanë dalë që më sukses ta riformatojnë kryesinë e klubit, t’i shlyejnë obligimet që kanë pasur ndaj lojtarëve, ta vazhdojnë bashkëpunimin me trajnerin Bylbyl Sokoli dhe të nisin përgatitjet.

Zyrtarët e klubit me këtë rast kanë falënderuar donatorët dhe drejtuesit e pushtetit lokal të Ferizajt të cilët po e përkrahin klubin në çdo hap të tij.

Në anën tjetër edhe futbollistët e kanë vlerësuar këtë udhëtim duke thënë se maksimalisht do ta shfrytëzojnë këtë kohë për përgatitje sa më të mira.

Njëri ndër lojtarët më të mirë të Ferizajt, Qëndrim Dautaj, ka thënë se kushtet që ofron Durrësi janë ideale për këtë fazë të përgatitjeve, ndërsa sipas tij me këto përforcime dhe me këtë punë që po bëhet Ferizaj është njëri ndër pretendetët kryesor për titullin e më të mirit në Superligën e Kosovës. /KP/Telegrafi/ 

Exit mobile version