Telegrafi

Ferizaj ndërton tri salla moderne për nxënësit dhe sportistët

Komuna e Ferizajt gjatë periudhës së fundit Kohore ka ndërtuar 3 salla sportive moderne në shkollën Shkolla Pavarësia në fshatin Balaj, pastaj në shkollën “Muharrem Shemsedini” në fshatin e Vjetër dhe në shkollën “Astrit Bytyçi” në Ferizaj.

Sipas zyrtarëve komunal ndërtimi i këtyre sallave sportive ka krijuar lehtësira për nxënësit e të gjitha shkollave dhe sportistëve ferizajas.

Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në Komunën e Ferizajt në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se ka qenë një premtim i kryetarit të komunës Agim Aliut për zgjerimin e hapësirave sportive për nxënësit dhe sportistët në Komunën e Ferizajt.

“Duke parë se Komuna e Ferizajt ka një zhvillim jashtëzakonisht të madh dhe ka klube të shumta të klubeve sportive, por edhe një numër të madh të nxënësve të përfshirë në sistemin edukativo-arsimor andaj ne kemi arritur t’i ndërtojmë tri salla të Edukatës fizike në kuadër të shkollave”, ka thënë Llabjani.

Sipas tij, përfundimi i sallave sportive dhe fillimi i shfrytëzimit të këtyre sallave jo vetëm nga nxënësit por edhe nga klubet sportive që veprojnë në kuadër të Komunës së Ferizajt ka krijuar një lehtësi jashtëzakonisht të madhe për të gjithë.

“Finalizimi i këtyre sallave sportive ka krijuar mundësinë që shumë të rinj dhe të reja të merren me aktivitete sportive dhe të merren me edukimin fizik e shëndetësor të tyre, prandaj po besojmë se përfundimi i këtyre sallave e ka krijuar një mundësi jashtëzakonisht të mirë të këtyre të rinjve por edhe të nxënësve që kemi në kuadër të shkollave. Po e themi këtë sepse ne kemi edhe një ligë shkollore sportive në të cilën mbajmë gara të sporteve të ndryshme dhe duke e parë këtë , atëherë kemi parë mundësinë që edhe liga sportive apo shoqata e pedagogëve të kulturës fizike të mund ti kryej të gjitha ato aktivitete në formën më të mirë të mundshme dhe më të lehtë pas funksionalizimit të këtyre tri sallave”, ka thënë Llabjani. /Telegrafi/