Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka bërë të ditur se ajo dhe (QKRMT) janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025.
“E përulur dhe thellësisht mirënjohëse. Jam thellësisht e lumtur dhe e nderuar se unë dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) jemi nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025. Ky vendim për nominim, i propozuar nga deputeti i Parlamentit Suedez, z. Magnus Jacobsson, më mbush me emocione të papërshkrueshme dhe mirënjohje të thellë,” ka deklaruar Rushiti në një njoftim publik.
Ajo ka falënderuar deputetin Jacobsson për mbështetjen dhe për amplifikimin e misionit të QKRMT-së, që për më shumë se 25 vjet ka punuar për rehabilitimin dhe drejtësinë për të mbijetuarit e torturës dhe dhunës seksuale gjatë konfliktit.
“Ky moment është një arritje e madhe për mua, ekipin e jashtëzakonshëm të QKRMT-së, dhe mbi të gjitha, për të mbijetuarit që kemi privilegjin t’u shërbejmë tash e 25 vjet. Ky moment i veçantë na frymëzon të vazhdojmë përpjekjet tona kolektive, duke avokuar globalisht dhe ndarë praktikat e mira të Kosovës, për të trajtuar këtë plagë të rëndë dhe për të kontribuar në parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, si dhe në arritjen e drejtësisë për të mbijetuarit,” ka shtuar ajo.
Rushiti ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kanë mbështetur misionin e QKRMT-së gjatë këtij çerekshekulli, duke theksuar se ky moment i takon të gjithëve që besojnë në një botë më të drejtë dhe paqësore./Telegrafi/