Site icon Telegrafi

Fenomeni i rrezikshëm nga “TikTok” i vetëlëndimit prek shkollat në Gjakovë, drejtoresha e Arsimit tregon për tri rastet e fundit

Tri nxënëse të klasave 6 deri në 9 në komunën e Gjakovës, kanë qenë viktima të fenomenit të vetë-lëndimit, si pasojë e një loje të rrezikshme që po qarkullon në rrjetin social “TikTok” tash e një kohë.

Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova Baçi ishte ajo që raportoi këto raste në Policinë e Kosovës.

Kumonva-Baçi në një prononcim për Telegrafin ka treguar se si ka ardhur deri tek pranimi i informatave për këtë fenomen.

“Të premten kam pranuar një informatë jozyrtare nga një prind që ka qenë e shqetësuar për një vetëlëndim që ka dyshuar në vajzën e saj. Të shtunën i kam lajmëruar drejtorët e shkollave që nga e hëna të fillojnë kontrollin nëpër klasa me prezencë të psikologëve dhe kujdestarëve të klasave”, tha Kumonva-Baçi.

Drejtoresha shtoi se dje ka informuar Policinë e Kosovës, dhe se kanë rezultuar tri raste, dy që kanë ndodhur shumë kohë më parë dhe një tash së fundmi.

“Dje e kam informuar policinë dhe i kam treguar se munden me na dalë raste se për shkak se kam dyshime që ka filluar edhe tek ne kjo lloj sfide që po përdoret në shtetet e tjera. Sot më informoi policia që dje kanë rezultuar tre raste, dy nga to kanë qenë të mëhershme sipas ekzaminimeve të shenjave, e i treti rast diku muajin e kaluar. Bëhet fjalë për sfidën në TikTok”, tha ajo.

Mes tjerash drejtoresha Kumonva-Baçi bëri të ditur se drejtorët e të gjitha shkollave sot kanë filluar kontrollet dhe se ka kërkuar nga ta që të mbajnë takime me prindërit menjëherë dhe në rast se hasin në ndonjë shenj te ndonjë vajzë të lajmërojnë menjëherë policinë.

“Të tria rastet kanë ndodhur në qytet dhe janë të ciklit 6-9 që i bie shkollat e mesme të ulëta. Këto vetë-lëndohen në duar tek venat”, tha Kumonva-Baçi.

Nga Prokuroria Themelore e Gjakovës në një përgjigje për Telegrafin, kanë bërë të ditur se rasti është cilësuar si “shtytje në vetëvrasje”

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se është iniciuar rast shtytje në vetëvrasje. Prokurori i Shtetit së bashku me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e duhura hetimore, ashtu që veprimet hetimore për këtë rast janë duke vazhduar në bashkëpunim me policinë. Për shkak të ndjeshmërisë së rasti nuk mundë të japim më shumë informata lidhur me këtë rast”, kanë deklaruar nga Prokuroria.

Në raportin e Policisë së Kosovës thuhet se rasti është raportuar më 07.10.2024, rreth orës 10:30.

Policia njofton se nxënëset janë të mitura dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Në anën tjetër, më 30.05.2024, janë raportuar 17 raste të nxënëseve të shkollave fillore të mesme të ulët “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë që i kanë gërvishtur duart e tyre, të nxitur nga një video (lojë) në “Tiktok”. /Telegrafi/

Exit mobile version