Bukuroshja nga Britania e Madhe është një dëshmi e vërtetë se mrekullitë ekzistojnë dhe se me një dëshirë dhe vullnet të fortë çdo gjë është e mundur.
Ish-modelja dhe Missi, Katie Piper, e cila i mbijetoi një ngjarjeje të tmerrshme në vitin 2008, kur i dashuri i atëhershëm, Daniel Lynch, i hodhi acid nga xhelozia, e cila i la shenja të përhershme në trup dhe fytyrë, u shfaq në një eveniment mode në Londër me një stil elegant duke mahnitur.
Si me guximin dhe dëshirën e saj për t’u ngritur mbi gjithçka, kjo femër nuk pushon së ngjalluri admirim dhe në The British Fashion Awards u shfaq me një fustan të bardhë me supe të zbuluara me detaje puplash në dekolte.
Stilin e ka kompletuar me doreza të zeza transparente, si dhe me çorape të zeza, ndërsa flokët i ka tërhequr mbrapa duke vënë në pah fytyrën, e cila ka shenja të dukshme.
Kujtojmë se Katy ka folur për ngjarjen traumatike në biografinë e saj, “Beautiful”. Ajo mezi mbijetoi dhe mbeti e verbër në njërin sy. Sot, është një frymëzim për njerëzit dhe përpiqet t’i ndihmojë të gjithë ata që kanë kaluar një situatë të ngjashme.
Ajo ka dy vajza dhe është e martuar lumturisht, ndërsa punon si prezantuese në radio, influencuese dhe personalitet televiziv. /Telegrafi/