Kryetari i bordit të sistemit bankar qendror në SHBA, Jerome Powell, tha se ekonomia amerikane po performon mirë dhe justifikon vazhdimin e tkurrjes monetare.
PoWell do të dëshmojë përballë Kongresit këtë javë, event që ndodh 2 herë në vit. Në komentet përpara intervistës, Powell dha një panoramë pozitive për ekonominë, që është rritur me një ritëm të fortë dhe po merr nxitje nga politikat agresive fiskale.
“Norma e papunësisë është e ulët dhe pritet të bie më tej. Amerikanët që kërkojnë vende pune kanë mundësi të mirë për t’i gjetur”, tha ai.
Powell foli ndërkohë që Banka Qendrore është në procesin e rritjes graduale të normave të interesit. Komisioni Federal i Tregut të Hapur, organi i caktimit të politikave monetare, ka rritur normën bazë të interesit dy herë këtë vit dhe pritet të bëjë 2 ndërhyrje të tjera deri në fund të vitit. Edhe pse ekonomia u rrit me një normë modeste prej 2% në tremujorin e parë, Powell tha se tremujori i dytë do të jetë shumë më i fortë.
“Fuqizimi i tregut të punës, rritja e të ardhurave në dispozicion dhe optimizmi i ekonomive familjare, kanë rritur shpenzimet konsumatore në muajt e fundit. Investimet nga bizneset janë rritur gjithashtu me një normë të fortë”, tha Guvernatori.
Sipas tij, performanca e fortë ekonomike në vende të tjera ka mbështetur tregtinë amerikane. /Telegrafi/