“Ra ky mort e u pamë”! Është kjo një thënie e vjetër shqiptare, që u përdor si titulli vepre nga shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare. I shkruar në formën e ditarit, vepra e tij u botua në vitin 2000 dhe i kushtohet luftës së fundit në Kosovë. Por, thënia është aktuale edhe sot, në luftën e re me atë që po quhet armik i padukshëm.
Në vitin 2020, bota u kaplua nga pandemia Covid-19, që për pak muaj ka marrë jetën e afro një milion njerëzve. Kjo pandemi ka mbërthyer edhe vendin tonë, gjë që na mundësoi ta kemi një pamje më të qartë të sistemit tonë shëndetësor dhe të shoqërisë me atë se sa jemi të disiplinuar në zbatimin e urdhrave të mjekëve.
Se sa po i zbatojmë këshillat e ekspertëve shëndetësorë, këtë e tregojnë sjelljet e sportistëve tanë. Ditëve të fundit, klubet kosovare të futbollit kanë raportuar për një numër të konsiderueshëm të të infektuarve me Covid-19. Kjo ka bërë që të anulohen edhe ndeshjet e karakterit ndërkombëtar dhe të dalim sërish, për të keq, në ballinat e mediave të huaja.
Kjo situatë ka treguar se sa profesionistë janë shumë prej futbollistëve tanë dhe në çfarë gjendje është futbolli këtu. Është e vërtetë, lojtarët tanë nuk paguhen si yjet botërore të futbollit, por kjo nuk do të thotë se e kanë të drejtën të sillen si t’ju teket. Shumica prej tyre, në kohë pandemie vazhdojnë mënyrën e të jetuarit thuajse asgjë nuk po ndodhë. Ndejat private, pushimet, daljet në vendet më të frekuentuara… nuk po i dalin ata. Për më keq, disa prej tyre që kanë rezultuar pozitiv, nuk vetizolohen, por vazhdojnë ta shpërndajnë virusin tek të tjerët. Madje, ka futbollistë që bashkë me stafin teknik të ekipeve, ngrenë dolli me alkool dhe tymosin duhan. Kjo na tregon se shumë nga ta futbollin nuk e marrin si profesion, por si fazë kalimtare – të parëndësishme të jetës të tyre. Kjo dëshmohet edhe me faktin se sa pak lojtarë kemi prodhuar për tregun e huaj, paçka që janë investuar miliona euro gjatë dy dekadave të pas lutës.
Fajtorin për dështimet e sotme në futboll nuk duhet gjetur te kushtet që i ofron vendi (me të njëjtat probleme po ballafaqohen shtetet më të përparuara në fushën e mjekësisë), por gishtin duhet ta drejtojmë tek vetja.
Prandaj, duke u uruar shërim sa më të shpejtë futbollistëve të infektuar, e deri në zbulimin e një vaksine, shpresoj ta kuptojnë se duhet t’i zbatojnë rekomandimet e mjekëve – me higjienë, me maska në fytyrë dhe me distancim fizik. Sepse, veç kështu, duke u sjellë si qytetarë të denjë, ata mund të bëhen shembuj të mirë për gjeneratat që do të vinë.