Nga: Ylli Polovina
Kur në kinemanë e qytetit të Beratit filloi seanca e parë e shfaqjes së filmit “Skënderbeu”, fillimdhjetor 1953, te punonjësi që rrinte para derës dhe lejonte hyrjen e shikuesve vetëm kundrejt një bilete të blerë, xha Hali, u afrua një fëmijë i vogël sapombushur të tetë vjeçët.
Pa e fshehur sikletin se po i kërkonte një gjë të “turpshme”, hyrjen pa biletë, i vogli lutjen ia bëri gjithsesi duke e parë kurajshëm në sy.
Xha Hali qe mësuar me bashkëqytetës që i ndërhynin të shihnin ndonjë film pa lekë dhe në këtë punë nuk ishte fort dorëlëshuar, por vocërraku i atyre çasteve me vështrimin e tij e preku në zemër. Ai njihej si një fëmijë pa shtëpi, pa familje siç kishin gjithë të tjerët. Nëna e vërtetë jetonte në Berat, kurse njerka në Tiranë. I ati, pas divorcit, pati shkuar te gruaja e dytë në kryeqytet, por duke qenë jo fort i zot për ta mbrojtur të birin e tij, ia kishte lënë fatin në duart e njerkës. Kjo sytë i pati vetëm për dy djemtë e vet nga martesa e mëparshme dhe i vogli, duke e ndjerë veten se po trajtohej si jetim, u largua nga Tirana pa marrë leje as nga i ati. Udhëtoi fillikat. U rikthye në Berat me shpresë që nëna e vërtetë, që banonte aty, do të gjente brenda vetes pak dashuri për të, por pësoi zhgënjim të rëndë. Ajo u tregua e ftohtë, akull. Dukshëm dëshmonte se nuk donte të kishte më lidhje me të.
Kështu vogëlushi, që duhet thënë se qe kokë më vete, mbeti në rrugë dhe flinte ku të mundte, jo rrallë edhe brenda karrocave me kuaj, të cilët nga lagjja “Çlirim”, “Murat Çelebi” e dikurshme, transportonin pasagjerë për në “Pazar”, çfarë donte të thoshte qendra e qytetit. Natën, të zotët çmprehnin kuajt dhe deri në mëngjesin e herët ndenjëset e meshinta qenë më të buta nga sa vocërraku mund t’i fantazonte. Mbi to flinte i qetë, ca më shumë që karrocat qenë të mbuluara nga lart dhe në të dy anët, duke penguar të hynte jo vetëm shiun, por edhe erën.
“Futu shejtan!” i tha menjëherë xha Hali dhe tetëvjeçari rrëshqiti mes njerëzve me bileta dhe sa hap e mbyll sytë u gjend në radhën e parë, në këmbë, në një kënd ku nuk binte në sy. Vështrimin e treti tek bezja e bardhë ku do të shfaqej, si të qe një ëndërr me ngjyra, filmi për Skënderbeun, heroin e madh të të gjithë shqiptarëve, emrin e të cilit ata e mësonin që sapo dilnin në jetë dhe për të lexonin sapo mësonin shkrim-këndimin në klasën e parë fillore.
Vocërraku i rritur me të keq, pa dashuri prindërore dhe mbetur pa shtëpi, e kishte ndërkaq një sekret pse e donte Skënderbeun pak më shumë se të tjerët: edhe ai e kishte emrin Skënder. Madje, të dy prindërit, kur ishin të dashuruar me njeri-tjetrin e të lumturuar nga kjo lindje, emrin krijesës së tyre ia patën vënë pikërisht në nderim të Gjergj Kastriotit
Më në fund, në atë fillimdhjetor 1953, seanca e parë e filmit sovjeto-shqiptar filloi duke i lënë spektatorët gojëhapur. Ishte një krijim gjenial në çdo sekuencë të tij, në çdo pamje dhe aktor, tingull muzike dhe hap i hedhur në valle, mahnitës në të gjitha peizazhet dhe marramendës në të tëra skenat e luftës. Aty qenë shumë vende të botës, që nga Stambolli deri në Venedik, shihje Krujën e mbi të gjitha Beratin. Filmi i jashtëzakonshëm dhe i paparë ndonjëherë në atë kinema, madje as në “kohën e Italisë”, Luftës së Dytë Botërore ku qytetin e tyre e patën frekuentuar filmat më të mirë të kinostudios “Luce”. Ishte i gjatë dy orë e njëzetë minuta.
Pasi mbaroi shfaqja, shikuesit dolën dhe karriget e tyre ende të ngrohta i zunë spektatorët e seancës së dytë. Por, Skënderi i vogël qëndroi te vendi i tij i mënjantë në skajin e djathtë të rreshtit të parë. Duke e përpirë me vështrim të ngulmët, ai e pa sërish filmin. Më në fund u larguan nga salla shikuesit e seancës së dytë, hynë ata të së tretës shfaqje dhe Skënderi përsëri ia nguli vështrimin dy orë e njëzetë minutave.
Atë ditë të fillimdhjetorit 1953, Skënderi, mbiemri i të cilit nga prindërit e vet të kohës së lumtur e kishte Mustafaj, pa edhe seancën e katërt të filmit, të fundit. Të nesërmen nuk i erdhi fare turp t’i lutej sërish xha Halit që të hynte në kinema pa biletë dhe ky i fundit t’i binte shkurt miratimit me shprehjen “Futu shejtan!”. Kështu, vocërraku Skënder e pa filmin njëzetë e katër herë dhe ngaqë ai e pati magjepsur truri i tij pavullnetshëm, por me vetëdijen e një saktësie të habitshme sfiduese për çdo dituri shkencore, madje edhe enciklopedi të famshme botërore, kishte kryer një gjest shumë të habitshme: e kishte mësuar atë përmendësh. E rrëfente, madje e interpretonte, pa bërë asnjë gabim. Nuk harronte asgjë pa imituar, zë njeriu, fërkim shpatash, vrapim e hingëllima kuajsh, muzikë shoqëruese të çdo skene një për një, ujëra burimesh në gurgullim…
Kështu, tetëvjeçari Skënder Mustafaj u bë papritur dhe pas e menduar as vetë “çuni-film”, pra djali-film ose njeriu-film. Nëpër qytet, kushdo që e njihte, pasi i jepte një pesëlekëshe, i kërkonte të luante diçka nga filmi. Porositësit ndonjëherë i caktonin edhe fragmentin që dëshironin.
Rrodhën ngjarjet deri sa në Berat mbërriti Viktor Stratobërdha. Qe vjeshtë e vitit 1956. Ishte emëruar drejtor i kinemasë së qytetit, çfarë pak nga pak iu bë pozicion i regjisorit të Estradës së qytetit. Viktori pati qenë ndihmësregjisori numër një i filmit për Skënderbeun, ndërsa flitej se realisht, me kontributin e dhënë për regjisorin sovjetik Sergej Jutkeviq, kishte luajtur rol shumë më të madh. Stratobërdha pati qenë kyç në krijimin artistik të mjedisit shqiptar në film, duke e shpëtuar atë, bashkë me kolegë të tjerë aktorë bashkatdhetarë, prej ndonjë rreziku sovjetizimi.
Populli i Beratit e dinte në vija të përgjithshme që tashmë Viktori, regjisori i parë i Kinostudios “Shqipëria e Re”, ishte dënuar pas asaj që ndodhi në prill të atij moti, 1956, në Konferencën e Tretë të Partisë së Punës për Tiranën. Me pak fjalë, edhe pse nuk kishin njohuri për shumë hollësira, fjalët e përhapura thoshin se qe “i dënuar politik”. Ndërkaq, te drejtuesit kryesorë të qytetit të Beratit dihej çfarë në thelb qe diskutuar në 23 dhe 24 prill, në mbledhjen e organizatën-bazë të Partisë së Kinostudios, ndërsa ajo pati diskutuar rezolucionin e konferencës partiake të kryeqytetit.
I deleguar kishte qenë një politikan shumë i lartë i sektorit të arsim-kulturës, kandidat i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Manush Myftiu. Ky pati theksuar se mes armiqve të shfaqur në konferencë qenë edhe drejtori i Kinostudios, Nesti Zoto, po ashtu edhe regjisori i saj, Viktor Stratobërdha. Posaçërisht në adresë të tyre, Myftiu theksoi se “ata kanë pasur pikëpamje revizioniste. Ata kanë dashur të godasin Komitetin Qendror dhe udhëheqjen”. Po ashtu se, “këta elementë kanë dashur të revizionojnë Koçi Xoxen, por Partia e ka thënë cili ka qenë Koçi Xoxe dhe dëmet që i ka sjellë ai Partisë dhe sot ne themi se sikur mos ta kishim vrarë atëherë, sot, në 1956, atë do ta varnim. Koçin e dënoi Partia dhe pastaj gjyqi”. Gjithashtu: Tuk Jakovën, vetë organizata bazë e Partisë e ka përjashtuar nga Partia pas 140 pyetjeve që janë bërë për gabimet e tij”.
Në këtë mbledhje të organizatës-bazë të PPSH-së për Kinostudion, Viktor Stratobërdha pati pohuar: “Unë nuk kam qenë as jam dakord me ata shokë që thonë se gjendja e popullit është e mjeruar. Kjo është mjaft e ulët dhe nuk i përgjigjet të vërtetës. Unë kam biseduar me shokët për çështje ekonomike dhe në asnjë mënyrë për gjendjen e mjeruar, siç u tha. Por, formulimi i bërë për këtë pyetje ka qenë jo i mirë. Kemi filluar të bisedojmë për këto çështje qyshkur filluan të dalin materialet e Kongresit XX në shtyp, si dhe artikuj të ndryshëm në vendet e demokracive popullore… Me vëllanë nuk kam biseduar asnjëherë… Pakënaqësi kundrejt partisë unë e them sinqerisht nuk kam dhe as kam arsye për pakënaqësi. Partia më ka trajtuar si kuadër dhe për këtë e falënderoj atë, duke më vënë në poste të ndryshme, të cilat jam munduar t’i kryej mirë… Një pyetje për marrëdhëniet me Jugosllavinë që kam bërë unë, këtë e kam bërë pa më të voglin qëllim. Kujtoja se do të bëhej si në demokracitë popullore, të cilat kanë marrëdhënie kulturore, ku shkojnë e vijnë delegacione etj. Unë kështu e kuptoja dhe kështu e bëra, me pastërtinë më të madhe dhe pa asnjë qëllim.
Por, sa i përket pyetjes që bëra, nëse Komiteti Qendror e njeh gjendjen e varfëruar të popullit, unë e bëra këtë duke parë vështirësitë ekonomike. Masat e fundit që janë marrë për heqjen e triskave e kanë ulur nivelin e jetesës, por shtypi nuk e ka shpjeguar që kjo është ulje provizore, përkundrazi, shtypi shkruante se kjo është një fitore e madhe dhe një sukses i madh. Në qoftë se dyshohet se pyetjet i kam bërë me qëllim të keq, atëherë mund të bisedohet në pozita të tjera.
Porse thelbi i këtyre pyetjeve është se partia jonë nuk na i ka shpjeguar këto gjëra. Me nënën e Petro Lalajt nuk kam biseduar për çështje buke, por kam folur në lidhje me dhomën. Lidhur me pyetjet e papjekura në Vlorë dhe shoferit të studios. Një rast në Vlorë kam pyetur një grua plakë, nëse e ka zhdukur analfabetizmin. Ajo më tha: ‘S’marr vesh more djalë, pyet më mirë nusen’.
Shoferit i kam thënë në formë shakaje, në prezencën e shumë shokëve të tjerë të studios: ‘Më parë, sa herë ke ngrënë mish në javë dhe sa herë ha tani?’ Ai më tha: ‘Ha një herë në javë’. Unë i thashë që ta shtrojë në bashkimet profesionale. Sot e konceptoj që ky ka qenë gabim…”!
Me Viktor Stratobërdhën regjisor, estrada e qytetit të Beratit pati ndjeshëm një hov suksesi, madje që me shfaqjen e parë nën drejtimin e tij artistik. Ndërsa i gëzohej kësaj mbarësie, një ditë kur para tij u shfaq fare rastësisht fëmija tashmë afër moshës 10-vjeçare, një koleg i tërhoqi vëmendjen: “Shihe mirë atë djalë! Ai e ka mësuar përmendësh të gjithë filmin ‘Skënderbeu’. Është fëmijë i braktisur nga familja”.
“Çfarë po më thua!”, u habit pa masë Viktor Stratobërdha. “Nuk është e mundur”.
E kishte fjalën për të dy të pazakonshmet: imitimin e filmit dhe lënien në rrugë të një vocërraku.
“Interpreton tërë filmin minutë pas minute”, saktësoi tjetri gjënë që, sipas tij, ishte më interesantja tek Skënderi. Atëherë Stratobërdha iu afrua vogëlushit dhe e ftoi të vinte pas tij. Shkuan në Shtëpinë e Kulturës, në një dhomë të saj dhe pasi u ul në një karrige dhe ndezi një cigare, i tha fëmijës së çuditshëm: “Pa na luaj njëherë filmin”!
Pastaj e ndoqi pa ia hequr sytë, me shumë vëmendje, të gjithë interpretimin, dy orë e njëzetë minuta pa pushim.
Kur spektakli shumë i habitshëm mbaroi iu drejtua të voglit me fjalët e pakta dhe të paqarta: “Hajde me mua”!
Ndërsa Skënderi vuante nga meraku se ku do ta çonte regjisori i dytë i filmit sovjeto-shqiptar për Skënderbeun, Viktor Stratobërdha i bëri një pyetje të drejtpërdrejtë: “Ke ngrënë bukë?”
“Jo”, iu përgjigj pothuaj njëmbëdhjetëvjeçari.
Pa i thënë asnjë fjalë tjetër, Viktori e mori me vete dhe e futi në ndërtesën e hotelit më të mirë të qytetit, “Kolombo”, duke e ulur në një nga tavolinat e restorantit. I dha drekën. Pastaj i tha Skënderit: “Nesër po të pres në Shtëpinë e Kulturës”.
Skënderi shkoi sërish tek po ajo dhomë dhe, i ulur në të njëjtën karrige, sërish me një cigare që e porsandezi, Viktor Stratobërdha i tha: “Vazhdo djalë!”
Pas dy orëve e njëzetë minutave e mori me vete dhjetëvjeçarin dhe e uli në një tavolinë të restorantit të hotel “Kolombo”. I dha drekën.
Pas disa ditësh, Skënderin do ta thërritnin për të tretën herë në Shtëpinë e Kulturës, ku një person i ngarkuar nga Stratobërdha do t’i komunikonte vendimin që kishin marrë si trupë estrade: në premierën që po përgatitej, ai do të kishte pesëmbëdhjetë minuta në dispozicion për të luajtur një fragment nga filmi “Skënderbeu”.
Kur shfaqja u dha në sallën e kinemasë dhe ai ishte i veshur me një kostum popullor të veriut, interpretimi i Skënderit u prit me brohorima të mëdha. Disa duartrokitës u ngritën edhe në këmbë.
Pas këtij suksesi publik dhe kur emri i tij përcillej gojë më gojë si një çudi gjeniale truri, Skënder Mustafajin nisën ta aktivizojnë nëpër shfaqje jo vetëm Shtëpia e Pionierit, por edhe kolektiva mësuesish në qytet e veçanërisht në fshat, të cilët krahas mësimit kryenin edhe veprimtari kulturore.
E pikërisht në një rast të tillë, në festën e përvjetorit të çlirimit të Skraparit, e pa edhe Zylyftar Veleshnja, një luftëtar shumë i njohur antizogist dhe antifashist i krahinës. U prek shumë prej historisë së jetës së Skënderit dhe pas një bisede një gjysmëorëshe, e bindi “çunin-film” të jetonte në shtëpinë e vet. Zylyftari dhe bashkëshortja e tij kishin ato çaste dhjetë fëmijë. I kishte thënë të shoqes, kur papritur ia solli në shtëpi: “Tek mija dhe qindi: merre, Bule, rregulloji kostumin tim, boll e kam këtë që e mbaj përditë. Laje, ndërroje, shto një lugë në tavolinë e quaje të njëmbëdhjetin”.
Në 1971, Skënderi, tashmë mësues dhe veprimtar i palodhur kulturor e shoqëror, u martua. Dasma u bë në shtëpinë e tij, ku ishte bir prej vërteti: tek Zylyftar Veleshnja. Ky i fundit ndërroi jetë në 26 gusht 1977.
Viktor Stratobërdha u arrestua me akuzën “për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor”, në maj 1979. Në dosjen e tij hetimore ndodhen edhe këto shënime: “Pas gjashtë vjet e gjysmë studimesh në B. Sovjetik, në marsin e vitit 1955 kthehem në atdhe. Gjatë gjithë këtyre viteve vetëm një herë isha kthyer në Shqipëri. Pushimet e verës i kaloja në atë vend, nëpër kampet e pushimit të studentëve që na i jepnin falas. Gjatë gjithë kësaj kohe isha shkëputur nga jeta e organizata e partisë (jashtë shtetit nuk bëhej jetë partie) isha shkëputur nga disiplina e Partisë duke bërë një jetë krejt të pavarur dhe në ambiente artistike (me qenë se studioja për kinematografi).
Kur u ktheva u emërova me punë pranë Kinostudios si kino-regjisor. Fillova të bëja jetën e partisë e cila më dukej si e bezdisshme. Situata e politikës së jashtme në B. Sovjetik dhe në të gjithë Europën lindore ishte me plot të papritura. Stalini s’kishte dy vjet që kishte vdekur dhe brenda kësaj kohe të shkurtër u ndërruan dy sekretarë të parë të K. Qendror. Në fuqi hipi Hrushovi. Në maj t’atij viti (1955), Hrushovi vjen për vizitë në Jugosllavi, rehabilitoi Titon. Për ne, në atë kohë Partia Komuniste e B. Sovjetik ishte mëmë, ishte Partia Bolshevike që i bie në gjunjë Titos.
Në të gjithë Europën lindore filluan kthesa rrënjësore në udhëheqje. Gazeta jonë ‘Zëri i popullit’ botonte çdo ditë lajme të kësaj gjendje. Në Poloni, Gomulka del nga burgu e vihet sekretar i parë i KQ-së. Në Hungari zbret Rakoshi e hyp Imre Nagy e kështu edhe në vende të tjera të demokracisë popullore. Unë në atë kohë kisha si shok të përhershëm Nesti Zoton dhe mbrëmjeve takohesha bulevardit në xhiro dhe bisedonim për këto gjëra.
Pak më vonë zhvillon në Moskë punimet Kongresi i 20 i B. Sovjetik. Raportin e Hrushovit e botoi ‘Zëri i Popullit’. Në çdo mbrëmje kur dilnim në xhiro e takoheshim ktheheshim, lexonim buletinin e lajmeve të mbas ditës së ATSH-së që kishte lajme të freskëta të asaj dite. Në këtë situatë, në prill të vitit 1956 do të zhvillonte punimet Konferenca e Tiranës. Nëpër organizata e Partisë u zgjodhën delegatë për në Konferencë. Në organizatën e Partisë ku bëja pjesë unë në Kinostudio u zgjodh Nesti Zotoja. Kishte orientim nga Komiteti i Partisë rrethit Tiranës që në Konferencë çdo i deleguar të merrte pyetje ose mendimet e anëtarëve të partisë për t’ju çuar Konferencës, që atje të sqaroheshin. Mblidhet organizata jonë dhe bëhen pyetje.
Nesti Zotoja mbante shënime. Pyetjet afërsisht ishin këto: Çështja e Sejfulla Malëshovës mos duhet parë (rishikuar). Pse nuk po përmirësohen marrëdhëniet me Jugosllavinë. Pse shtypi jonë lustron gjendjen e nivelit të jetesës? Pse shtypi jonë kritikon nga drejtorë poshtë. Sa shpenzime kanë dyqanet e bllokut të udhëheqësve? Pse sigurimi jonë kontrollon dhe pasaportat e anëtarëve të partisë. Mos ka nevojë të shikohet çështja e Bedri Spahiut dhe e Tuk Jakovës etj. që nuk më kujtohen. Unë bëra pyetjen për Jugosllavinë. Në Konferencën e Tiranës ishte i deleguar Beqir Balluku. Salla ku zhvillonte punimet konferenca ka qenë pallati ‘Ali Kelmendi’. Ne që s’ishim delegatë, unë e shokët që përmenda më sipër prisnim në xhiro për qark pallatit që kur të bëhej pushimi i seancës të konferencës të merrnim vesh se çfarë po bëhej. Kish grumbuj me shokë partie që takonin të deleguarit e tyre për t’u informuar rreth punimeve të çdo seance. Përgjigjet e pyetjeve nga ana e Beqir Ballukut nuk i kënaqnin të deleguarit? Në seancën e ditës së tretë erdhi udhëheqësi kryesor E. H. i cili ishte vënë në dijeni të kësaj gjendje të elektrizuar. Ai u prit me duartrokitje. Ne përsëri prisnim seancat e pushimit. Gjendja filloi të merrte tjetër drejtim. Disa shokë kishin filluar të dilnin më autokritikë. Të nesërmen e asaj dite konferenca u dha fund punimeve. Ishin kritikuar rëndë diskutimet e ditës së parë si dhe pyetjet e disa dikastereve dhe ato të Kinostudios.
Pas disa ditësh bëhet mbledhja e organizatave të partisë të gjithë dikastereve të Tiranës. Tek ne në Kinostudio erdhi M. Myftiu. Ai mori një për një pyetjet që ishin bërë, pyeste emrin se kush e kishte bërë dhe i jepte përgjigje. Organizata me njoftimin që jepte Manush Myftiu propozoj për përjashtim nga radhët e saj Nesti Zoton dhe mua.
Unë u përjashtova se kisha arsim më shumë nga të tjerët dhe duhet të isha treguar më i pjekur nga të tjerët. Ndërsa gjithë të tjerët morën vërejtje me shënim në biografi me qenë se ishin më pak të arsimuar. Pas disa ditësh unë caktohem përgjegjës kinemaje në Berat. Konferenca vërtetë përfundoi, por ne kishim bindjen që Kongresi i Tretë që do të fillonte punimet pas 2-3 javësh do të rishikonte këtë çështje sidomos i deleguari i KQ të B. Sovjetik që do të vinte në Kongres. Në të vërtetë erdhi Pospjellovi. Si kongresi ashtu dhe Pospjellovi i vlerësuan të drejta vendimet e Konferencës së Tiranës si dhe masat që ai mori…
Sikundër kam thënë edhe në procesin e mëparshëm kur u mor vendimi për t’u larguar nga Tirana e për të ardhur në Berat ashtu siç isha i dëshpëruar, u nisa për në Berat, i përjashtuar nga Partia, i ulur nga përgjegjësia, i vrarë shpirtërisht, i trembur. Detyrë kryesore që i vura vetes ishte që të punoja mirë në detyrën e caktuar (përgjegjës kinemaje), të evitojë në maksimum shoqërinë me njerëzit dhe sidomos bisedat me karakter politik. Kisha gjithmonë bindjen se Kongresi i III-të i Partisë që do të fillonte punimet mbas disa javësh do të shikonte çështjen e konferencës së Tiranës dhe unë do të shkoja përsëri në Kinostudio. Kjo nuk u bë. Më vonë kur në Hungari plasi kundërrevolucioni dhe u bënë të gjithë ato masakra ndaj elementit stalinian, kurse Partia jonë filloj të zbulojë agjentët dhe agjenturën jugosllave për Konferencën e Tiranës…
Në fillim të vitit 1962 kur situata ishte shumë e nderë ku kishin plasur divergjencat parimore me Bashkimin Sovjetik, hiqem nga estrada dhe kaloj në prodhim. Edhe për mua kjo gjendje ishte shumë delikate e shumë e rëndë. Ishte e rëndë dhe delikate sepse: isha një njeri që kisha studiuar në BS dhe duhej të tregohesha shumë i matur në qëndrimin tim ndaj këtij vendi se çdo gjë mund të interpretohej si agjitacion pro atij vendi. Duke kaluar në prodhim, punë kjo që për mua si fillim ishte shumë i rëndë, nuk duhej të shkisja në asnjë moment dhe për asnjë çast në ndonjë pakënaqësi se një gjë e tillë ishte me pasoja. Kalimi në punën prodhuese më izoloj plotësisht nga shoqëria e mëparshme. Isha beqar, mbeta fill i vetëm. Mbasi unë absolutisht nuk kisha asnjë shok… Në fund të vitit 1971 merrem përsëri në Estradë. Puna ime në estradë gjatë këtyre viteve të fundit u vlerësua e mirë. Në karakteristikat e fundit që formuloj kolektivi dhe organizata e partisë midis fjalëve të mira që kish thuhej: ‘Gjatë katër vjetëve të punës të sh. Viktor drejtoria dhe organizata e Partisë s’ka pasur asnjë shqetësim ideologjik’. Megjithatë nga estrada ika në janar të vitit 1976. Heqja ishte rezultat i situatave të komplikuara ndërkombëtare, të cilat detyrimisht nxirrnin ashpërsimin e luftës së klasave…”!
Në fillim verë 1979 Viktor Stratobërdha u dënua me tetë vite burgim. Iu hoqën prangat në 1988, ndërsa më 1991 emigroi në Greqi e më pas në Kanada. Aty pushoi zemra e tij, kur qe 75 vjeç, në 31 maj 2000.
Kur ishte i ri e pati pasur ëndërr të vdiste në këtë vit të shënuar si mijëvjeçar i ri. Qe e vetmja dëshirë që iu plotësua siç e deshi.
Ekziston edhe një pikëllim tjetër nga e tërë kjo histori që treguam: Ka ndërruar jetë edhe Skënder Mustafaj, njeriu që fëmijë luajti i vetëm dy orë e njëzetë minuta të tëra të filmit “Skënderbeu”.