Site icon Telegrafi

Farsa Banksy: Artisti i dorës së dytë, i cekët, pa mendim dhe pa origjinalitet

“A po e kupton?”: Masakra e Ditës së Valentinit nga Banksy

Artisti bristolian i rrugëve, po kthehet me një ekspozitë personale në Glasgou. Por, tallja bëhet me ne që “provokimet” e tij i trajtojmë si art.

Nga: Francesca Peacock, kritike e artit / The Daily Telegraph (titulli origjinal: Banksy’s art is political drivel for the smug, right-thinking classes)
përkthimi: Telegrafi.com

Glasgou e ka një kon trafiku të cilin duhet falënderuar për ekspozitën e artistit Banksy, që së shpejti do të hapet. Artisti i pakapshëm i grafitit, ka pohuar se për ta hapur ekspozitën e tij të parë të autorizuar – pas 14 vjetëve – në Galerinë e Artit Modern të Glasgout (GoMA), ai u frymëzua nga statuja e Dukës së Uellingtonit që qëndron jashtë muzeut dhe të cilit gjatë katër dekadave të fundit vazhdimisht ia kanë vënë një kon të portokalltë mbi kokë.

Sipas artistit të rrugës, që është i famshëm për muralet e tij të supozuara politike, kjo statujë e ndryshuar është “vepra e tij e preferuar e artit në Mbretërinë e Bashkuar”. Kjo është “arsyeja” se pse ai “e solli ekspozitën këtu”. Është zgjedhje e lehtë nga një artist i lehtë, por organizatorët e retrospektivës së Glasgout, të titulluar Cut and Run, shpresojnë se ekspozita, e cila përfshin veprat nga viti 1988 e deri në ditët e sotme – krahas shablloneve që ka përdor për të ngjyrosur veprat – do të jetë mjaft popullore për t’u vizituar.

Fatkeqësisht, ata e kanë çdo arsye për të qenë optimistë. Reputacioni dhe njohja e artistit anonim veçse është rritur në vitet e fundit: në vitin 2019, punimi i tij Devolved Parliament (një paraqitje e Dhomës së Përfaqësuesve ku politikanët u zëvendësuan me majmunët – apo e kupton?) u shit për një rekord prej 9.9 milionë funteve; kohët e fundit, muralet e tij të realizuara në blloqet e apartamenteve të bombarduara në Ukrainë, po mbrohen prapa një xhami rezistent ndaj goditjeve, teksa  gjithçka tjetër – shtretërit, mobilet, jeta e njerëzve – lihen të hapura ndaj bombave ruse.

Pse ende e marrim seriozisht këtë artist të dorës së dytë? Pse ende është subjekt i ekspozitave – të autorizuara apo ndryshe – dhe pse i jepet kaq shumë hapësirë në botën e artit bashkëkohor? Pesë vjet më parë, më 2017, kryesoi në listën e veprave më të preferuara artistike të kombit, ndërsa, në mes të pandemisë, u lavdërua për veprën e tij fyese dhe të cekët ku i jepte mbështetje Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë, duke e shndërruar një infermiere në superheroinë. Është fyerje për shijen për të gjithë ata që ofertuan në ankand e ku çmimi përfundimtar ishte 16.7 milionë funte.

Por, përtej perdeve të tymit të marifeteve të tij që tërheqin vëmendjen – nga parku i tij gjoja tematik i vitit 2015, Dismaland, e deri te vendimi i tij për të përfshirë tualetin e vet [të realizuar gjatë pandemisë] në retrospektivën aktuale, batutat flasin vet – arti i Banksy është po aq i parëndësishëm sa mbetjet e copëtuara të Girl With Balloon; kanavacë që u vetëshkatërrua menjëherë pasi u shit në ankand para një publiku të acaruar më 2018.

Një nga muralet e tij më të hershme, The Mild Mild West i vitit 1998, tregon një arush pelushi të vizatuar, që përgatitet të hedh një koktej molotovi kundër policisë. I realizuar si reagim ndaj skenës së muzikës rave në Bristol në vitet 1990, komenti i Banksy-t për lojën e këndshme rinore dhe në anën tjetër të vrastarëve dhe mizorisë policore, deri në pikën e fundit është punë e pamend. Megjithatë, teksa artisti bëhej më me ndikim, e ashtuquajtura satira e tij nuk u bë më komplekse apo interesante. Në muralin e tij të vitit 2019, të realizuar gjatë Bienales së Venecias, një vajzë e re refugjate mban një flakë të ndezur që shkon mbi kokën e saj. Poza e saj është ajo e Statujës së Lirisë; ndërsa argumenti i artistit është po aq delikat sa ngjyra rozë e ndezur që përdori për flakën.

Ky mural i vitit 2019, është shembull i idiomës vizuale të preferuar të Banksy-t: diçka e pafajshme (një fëmijë; një arush pelushi; një bimë që lulëzon) e përshkruar pranë diçkaje që mund ta lëndojë atë. Në Ukrainë, e zgjodhi një si balerinë mes rrënojave; pastaj një të ngjashme me të famshmen e tij Girl With Balloon, ku balona do të fluturojë larg dorës topolake të zgjatur të vajzës. Është imazh i përsëritur i neveritshëm, në zemër të punës së Banksy: një vizion i diçkaje delikate, që do të dëmtohet. Me gjithë radikalizmin e tij të supozuar dhe mediumin e tij të artit të rrugës, ai është po aq i cekët dhe i zbrazët sa pikturat viktoriane të çapkënëve të palarë me faqet e kuqe.

Por, ndoshta është ajo thjeshtësia që bëri që Banksy të ketë kaq shumë adhurues. Nuk kërkon shumë përpjekje, apo angazhim, për të kuptuar mesazhet e supozuara. Me muralin e Venecias, janë ligjet e ashpra kundër refugjatëve; me Parlamentin janë politikanët famëkeq; me Very Little Helps të vitit 2008 (duke treguar tre fëmijë në fund të një shtize dhe flamurin që është qese e supermarketave të Tesco-s) është antikonsumerizmi. Të pëlqesh Banksy-n do të thotë të jesh në anën e duhur të historisë: ai është në anën e [atyre që u gjykuan për rrënimin e statujës së Edward Colstonit në Bristol, me akuzat se ishte racist] Colston Four (fanellat e Banksy-t me bazamentin pa statujë) dhe kundër katalogut të sëmundjeve të ditëve moderne që qartë përcaktohen (politikanë të këqij; ndryshimet klimatike; kapitalizmi). Është art politik për një epokë pa nuanca dhe pa mendim.

Dhe, nëse ka këmbëngulje të vazhdueshme në lidhje me suksesin komercial të pikturave të tij, Banksy ka një përgjigje edhe për këtë: shumë kohë përpara marifetit të tij të copëtimit të vitit 2018, e paraqiti një pamje të një shtëpie ankandi të mbushur me ofertat për pikturat e tij, ku thuhet I Can’t Believe You Morons Actually Buy This S— [Nuk mund të të besoj se ju debilët në fakt e keni blerë këtë m—]. Arti i Banksy-t është për ata që nuk e kanë problem të përqeshen, për sa kohë që këtë e bëjnë me vetëdije; në fund të fundit, ata janë pjesë e shakasë.

Nëse ka pak mister në punën e tij – Banksy është huamarrës i pandreqshëm, që nga skulpturat e Rodinit e deri te imazhet e Andy Warholit; asnjë nga veprat e tij nuk është origjinale, në asnjë mënyrë – artistit i ka mbetur aspekti i intrigës. Ai ende pretendon të jetë anonim: del pa paralajmërim dhe nën mbulesën e errësirës, për t’ia rritur çmimin një muri të thjeshtë me një punë të vet. Ai është Robin Hoodi bujar i shablloneve dhe i ngjyrës së sprejit.

Kjo është fabula e ditëve moderne, me vetëm një problem: identiteti i Banksy-t bindshëm është raportuar në shtyp gjatë 15 vjetëve të fundit. Tani që nuk ka më frikë nga ndjekja penale (punimet e tij do të shfaqen në ekspozitën e GoMA-s, pavarësisht se më parë kishte frikë se do ta dënonin), anonimiteti i tij është po aq farsë sa pjesa tjetër e punës së tij. Është marifet publicitar, me pak substancë nën të. /Telegrafi/

Exit mobile version