Pronari i Facebook, Meta Platforms Inc, ka rënë dakord të paguajë 725 milionë dollarë për të zgjidhur një padi kolektive që akuzon gjigantin e mediave sociale për lejimin e palëve të treta, përfshirë Cambridge Analytica të ketë qasje në informacionet personale të përdoruesve.
Marrëveshja e propozuar do të zgjidhte një padi të shkaktuar nga zbulimet në vitin 2018 se Facebook kishte lejuar firmën britanike të konsulencës politike, Cambridge Analytica të ketë qasje në të dhënat e deri në 87 milionë përdoruesve.
Avokatët e paditësve e quajtën zgjidhjen e propozuar më të madhen që është arritur ndonjëherë për shkelje të privatësisë, raporton aljazeera.
Meta nuk pranoi se kishte bërë punë të keqe si pjesë e marrëveshjes, e cila i nënshtrohet miratimit të një gjyqtari federal në San Francisco. Kompania përmes një deklaratë njoftoi se zgjidhja ishte “në interesin më të mirë të komunitetit dhe aksionarëve tanë”.
Cambridge Analytica, tashmë e zhdukur, punoi për fushatën e suksesshme presidenciale të Donald Trumpit në vitin 2016 dhe kishte qasje në informacionet personale të miliona njerëzve që kishin llogari në Facebook.
Cambridge Analytica e mori atë informacion pa pëlqimin e përdoruesve nga një studiues, i cili ishte lejuar nga Facebook të vendoste një aplikacion në rrjetin e mediave sociale që grumbullonte të dhëna nga miliona përdorues të tij.
Skandali i Cambridge Analytica nxiti hetimet prej Kongresit amerikan, ku shefi ekzekutiv i Meta, Mark Zuckerberg, ishte marrë në pyetje nga ligjvënësit amerikanë. /Telegrafi/