Cesc Fabregas raportohet se po punon në prapaskenë për të joshur Alexis Sanchez dhe Lorius Karius që të transferohen tek Como, teksa po bëhen gati para fillimit të sezonit në Serie A pas rikthimit.
Pas 21 vitesh larg elitës së futbollit italian, Como po bëhet gati për një rikthim triumfues në Serie A. Kjo arritje e madhe ka bërë që ata trë ndjekin një strategji agresive në treg për t’u siguruar se mund të konkurrojnë në nivelin më të lartë.
Ky projekt ambicioz udhëhiqet nga Fabregas, i cili së fundmi mori rolin e trajnerit kryesor pasi paraprakisht me sukses e drejtoi ekipin drejt promovimit përkrah trajnerit Osian Roberts.
Sipas Gazzetta dello Sport, në mesin e emrave që po konsiderohen për fazën e sulmit është edhe ai i Alexis Sanchez.
35-vjeçari momentalisht është lojtar i lirë pasi kontrata e tij me Interin ka skaduar. Përkundër minutave të limituara këtë sezon, vetëm 750 minuta në të gjitha garat, Sanchez është i etur që ta “ringjallë” karrierën e tij dhe do të ishte i hapur për një kalim tek Como.
Tek Interi, ai ka përfituar 2.8 milionë euro neto, një shumë e cila tejkalon standardin e pagave të Comos. Në mënyrë që transferimi të kompletohet, Sanchez do të duhej që të pranonte një ulje masive të pagës.
Como po eksploron disa opsione të ndryshme për të përforcuar ekipin e tyre duke përfshirë emra si Mauro Icardi, Joaquin Correa, Andrea Pinamonti dhe Andrea Belotti.
Pozita e portierit është një tjetër pozicion që po kërkon vëmendje. Diskutimet e tanishme po mbahen për të vendosur nëse duhet të gjejnë një zgjidhje të dytë për portën pas kroatit Adrian Semper, apo të gjejnë një portier që luan nga minuta e parë.
Emra si Alessio Cragno dhe Lorius Karius janë përmendur. Në fakt, Karius do të ishte një transferim strategjik pasi do ta lejonte atë të ishte më afër qytetit të Milanos, aty ku ai dhe familja e tij jetojnë./Telegrafi/