Cesc Fabregas beson se është e pamundur që një lojtar tjetër si Lionel Messi të dalë në të ardhmen.
Dy ish-bashkëlojtarët te skuadra e Barcelonës kaluan tre sezone së bashku në Camp Nou me Messin që fitoi dy Topa të Artë gjatë asaj kohe.
Duke pasur privilegjin të luante përkrah argjentinasit, Fabregas deklaroi se Messi është me të vërtetë i veçantë kur u pyet nëse mund të ketë ndonjë tjetër si ai.
“Unë mendoj se është ndoshta e pamundur”, ka thënë fillimisht Fabregas për gazetën spanjolle AS.
“Ne kemi parë lojtarë të mahnitshëm si Ronaldo dhe Ronaldinho, por Messi ka qenë më i miri për 15 vjet. Ai është në sezonin e tij të 17-të dhe ai ka qenë më i miri që kur ishte 18 vjeç”.
“Kam parë gjëra që nuk do t’i besonit. Çdo tre ditë ai shënon gola, ai shkon luan për Argjentinën dhe kthehet me avionë dhe shënon një het-trik. Kjo nuk është normale, më besoni”.
“Do të më pëlqente të luaja më shumë me Leon. Kam pasur një fat të keq në atë drejtim. Sezonin e parë që kemi qenë së bashku kemi pasur mirëkuptim. Por, dy sezonet në vijim ishin kur unë pata kohën time më të keqe me lëndime”.
“Unë nuk isha në më të mirën time në momentet kryesore dhe kjo prekte të gjithë, përfshirë edhe Leon”, përfundoi ylli spanjoll. /Telegrafi/