Evropa kurva plakë! Kurrë të mirën nuk na ka dashtë! Është xheloze. Gjithmonë ka qenë kundër nesh, kundër demokracisë, kundër sukseseve tona, kundër paqes dhe stabilitetit në rajon. E tash, e marrin madje guximin të na kritikojnë për pabesitë e tyre!
Me këtë qëllim erdhi raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek. Veç të na nervozojë! Të na thotë se liberalizim të vizave për Kosovën nuk do të ketë edhe në dy-tri vitet e ardhshme.
Sikur kjo nuk i mjaftoi, ajo vazhdoi ta bënte “liderin më të madh të shqiptarëve të Ballkanit”, që është konsideruar “George Washington, Charles de Gaulle, Helmut Kohl apo Ismail Qemal” (copyright: Enver Hoxhaj), të dalë joserioz se pse më 2010 paska thënë se për gjashtë muaj të qeverisjes së tij, Kosova do të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë – pa viza.
Krejt durohen, por kjo assesi të përpihet?
Shqiptarët e Kosovës, fal politikanëve të tyre, shijojnë ëndrrën e gomarit në kohën kur ujku e copëton. E çka ka të keqe të jetosh në ëndrra! Evropa do të donte të ishte si ne. Përderisa ata e jetojnë realitetin e hidhur, ne ëndërrojmë, mbesim gjallë dhe kënaqemi.
Populli thotë: “Prit gomar sa del bar”! E kemi pritur lirinë me mijëra vjet, dhe mburremi me këtë! Kështu, mund të presim 2-3-4-5-6-7… vite tjera liberalizimin! Vitet shkojnë e vijnë. Kryesorja është që ëndrrën të mos na e prishin.
E, fal Lunacekut, tash këto vite do t’i kalojmë me stres, shumë stres, sidomos para ambasadave, aty ku rreshtat janë të gjatë, e imazhet idilike të atyre që presin, ngjajnë – kuptohet, për gojëkëqinjët dhe smirëzinjtë – me nevojtarët e papunë të kohës së Krizës së Madhe Ekonomike, që prisnin në rend për një supë në kuzhinat e Al Capones.
Ndonjë jashtë objektit dhe rreshtave është shumë inteligjent, di të plotësojë formularët. Kjo “shkollë” e tij paguhet. Shqiptari brenda që i pranon dokumentet, është edhe më inteligjent, është si sovran. Ai ka “lidhje” me ndonjë të huaj. Duhet pasur kujdes çka flet, se si reagon, sepse nuk ke as ku ankohesh, meqë të huajt nuk na kuptojnë e këta inteligjentët tanë janë “duar të zgjatura” të “dikujt”. Krejt kjo është shkollë! Mund të jesh më i zgjuar, më i bukur, më i këndshëm, më i ndershëm, më i mirë se çdo qytetar – gjithnjë sipas parimeve evropiane – por kjo këtu nuk pi ujë. Ti je kosovar, tamam sui generis. Kush s’të bën hesap, se janë xhelozë! Xhelozojnë në durimin tuaj, në ëndrrën që e ke: që ta merrni vizën dhe që “brenda gjashtë muajve” ta shijoni liberalizimin. Ju shpresoni, ju bëheni lehtë të lumtur. Ndërsa, evropianët vuajnë nga depresioni, nga mungesa e kuptimit dhe e qëllimit në jetë!
Pastaj, evropianët nuk janë patriotë. Shqiptari i Kosovës i do shtetet e tyre më shumë se ata, me të gjitha të metat që i kanë. E, kjo është edhe një dëshmi e xhelozisë së tyre: na kanë zili për dashurinë e madhe që kemi!
Se Kosova nuk ka probleme, këtë e ka shpjeguar mirë ambasadori jonë në Vjenë. Ditorja turke “Zaman”, më 2012 e boton një reportazh, ku si për inat përmendet ekonomia e varfër, mangësitë në prodhim dhe eksport që e kanë bërë Kosovën të jetë e varur nga shtetet tjera. Si problem kryesor ceket papunësia, në veçanti tek të rinjtë.
“Papunësia është një realitet, sidomos për të rinjtë. Nga ana tjetër, ne nuk jemi duke luftuar me problemet që ndërlidhen me pensionimin e me të cilin Evropa po përballet tani. Sa i përket zhgënjimit të njerëzve, unë do të nxjerr në pah një sondazh të opinionit publik të realizuar dy vjet më parë, që tregon se kosovarët janë më të lumturit në Evropë”, ka thënë përfaqësuesi dinjitoz i Kosovës në Austrinë dekadente.
Po pra, ne jemi popull optimist, nuk kemi pensionistë. Ne po ecim para. I keni lexuar komunikatat për shtyp të krerëve të shtetit të Kosovës, pasi takohen me zyrtarët e huaj. Në çdo kumtesë të tillë figurojnë këto fjali: “U njoftua me progresin dhe të arriturat në Kosovë”; “u njoftua për sukseset në luftën kundër krimit”; “u njoftua me reformat në drejtësi”; “përparimin drejtë agjendës evropiane”… Po të mos ishin të vërteta këto, nuk do të cekeshin, sepse politikanët tanë nuk gënjejnë, apo jo?!
Prandaj, Ulrike Lunacek duhet patjetër të shpallet persona non grata. Jo për diçka, po për faktin se pesimizmi nuk ka vend në radhët tona!