Site icon Telegrafi

Është pjesë e Chelseat nga mosha gjashtëvjeçare – Jamesit i plotësohet ëndrra e fëmijërisë, bëhet kapiten

(Foto: Twitter/Chelsea FC)

Futbollisti nga Akademia e Chelseat, Reece James, është caktuar kapiten i ri i skuadrës pas largimit të Cesar Azpilicuetas drejt Atletico Madridit.

Mbrojtësit i është plotësuar ëndrra e fëmijërisë duke e mbajtur shiritin e klubit, pjesë e të cilit është që nga mosha gjashtëvjeçare.

Tash 23 vjeçar, James është zgjedhur kapiten nga trajneri Mauricio Pochettino, para mbrojtësit veteran, Thiago Silva.

Braziliani e ka bartur shiritin e kapitenit në shumë raste në të kaluarën, por trajneri i ri e ka zgjedhur anglezin në një vendim të përbashkët me klubin.

“E di se duhet të mbath këpucë të mëdha, sepse kemi pasur kapitenë gjigantë në të të kaluarën, por jam i gëzuar. Jam te Chelsea thuajse gjatë gjithë jetës time. E fillova këtu që nga mosha gjashtëvjeçare dhe të është vështirë kur vjen nga Akademia. Por, të bëhesha kapiten, është ndjenjë e shkëlqyer për mua dhe familjen time”, ka thënë James për faqen zyrtare të klubit.

Ai pritet ta bartë shiritin e kapitenit për herë të parë ditën e diel, kur Chelsea do të jetë nikoqir i Liverpoolit në javën e parë të sezonit të ri në Ligën Premier. /Telegrafi/

Exit mobile version