Festa kremtohet. Në të ka këngë, valle, hare…
28 Nëntori nuk duket të jetë festë. Së paku ky i sivjetmë, jo. Është kushtrim që bën thirrje për zgjim, është akt që i jep vlerë kohës, madje edhe qenësisë shoqërore. Ismail Qemali nuk festoi. Ai sakrifikoi. Ismail beu me të tjerët nuk e kufizuan kombin në flamur, por kombit, bashkë me pavarësinë, ia dhuruan edhe atë.
Sfondi i kuq i flamurit nuk është veçse simbolikë e gjakut të dëshmorëve të panumërt që ranë për këto troje. Përse? Për të ruajtur dinjitetin. Këtë që ne, pasardhësit, s’po e gjejmë dot.
Gjaku derdhet për ideal, për nder. Sot Kosova ende vazhdon të tronditet me gjakun e bijve të saj. Në tokën e vet, në duar të shtetit. Dhe, të flitet për celebrim?
28 Nëntorin më së paku duhet parë si festë. Ai vjen për të na dhënë një shuplakë që të kthjellemi nga kjo amulli. Ismail bej Vlora e ngriti zërin dhe fjalën që ta dëgjonte bota mbarë, ndonëse s’kishte fuqi që mund të përfillej asokohe. Por, nuk heshti, nuk u tërhoq mënjanë. Nuk mendoi se “le të bëhet ç’të bëhet me popullin tim”.
Sot, mbyllja e syve përballë padrejtësive që ndodhin dita-ditës në trojet tona është shndërruar në dukurinë më të zakonshme. Si të dinë këto gjenerata të reja se indiferenca nuk i shërben as individit, as kombit? Se ashtu nuk pasohen burrat e 1912-tës?
“Nëse diku është hapur një zjarr dhe dikush ju fton që të adhuroni Zotin, ta dini se kjo thirrje është e një të shituri”, thoshte një mendimtar i huaj. Pa u shuar zjarri, adhurimi s’bëhet, thoshte… E, pa u hequr tisi i zjarrit që po e verbon Kosovën tonë tash e sa kohë, mund të kënaqemi me kremtim?
Sot, flamur konsiderohet veç ajo pëlhura që shitet në treg dhe të tillë mund të gjejmë sa të duam, por ama të zhveshur nga kuptimi. Prandaj, “tregtarët e flamujve” i gjejmë nga pazari e deri në Parlament.
Sot, patriotizmi matet me organizimet (veçanërisht tek punonjësit publikë) që fillojnë nën moton kumbuese “Për nder të Ditës së Flamurit…” në ndonjërin nga hotelet e rivierës shqiptare. A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe mësuesit tanë? Dikur shtylla të shoqërisë, frymëzues për brezat, injektues të dashurisë për vatan… Tani në fundjavë, buzë detit, peshku e vera përpara. Ohhh!
Rroftë Pavarësia e Shqipërisë, rroftë Flamuri Kombëtar, rroftë Ismail Qemali! Ju bëftë mirë, gëzuar!
“Fshati digjet,… krihet.”
Po, po, plaka.