Site icon Telegrafi

Escobar: Nuk jemi të fokusuar te nënshkrimi, por te finalizimi i marrëveshjes

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret finalizimin e aneksit të zbatimit të marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, palët nuk do të mund të zgjedhin se çka të zbatojnë nga ky propozim e çka jo.

Në cilësinë e vëzhguesit, Escobar merr pjesë në një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që po zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 18 mars, ai tha se fokusi në këtë takim është te finalizimi i aneksit për zbatimin e marrëveshjes, e jo te nënshkrimi.

“Jemi duke funksionuar nën hijen e një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë e kontinentit evropian që prej Luftës së Dytë Botërore”, tha Escobar duke iu referuar pushtimit rus të Ukrainës.

Në këtë aspekt, tha ai, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është i rëndësishëm.

Në rast se palët nuk pajtohen, ato fillimisht, “nuk ecin përpara në integrimin e tyre euro-atlantik”, tha Escobar.

Ai shtoi se “të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë marrëdhënie paqësore me njëra-tjetrën”.

Sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Escobar tha se është shumë e pagjasë që ai të shndërrohet ndonjëherë në një Republikë Sërpska, duke iu referuar kështu entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, i cili vazhdimisht ka sfiduar funksionalizimin e këtij shteti.

Exit mobile version