Në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan raportuan këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Escobar tha se SHBA-ja nuk dëshiron që Asociacioni të jetë një lloj Republike Srpska.
Ai tha se SHBA-ja dëshiron që Kosova të marrë për bazë ndonjë model evropian “që nuk shkel sovranitetin, funksionalitetin apo strukturën kushtetuese” të shtetit.
“Ne duam të shohim që Asociacioni të vendoset nën strukturën kosovare, që ata ta kontrollojnë atë”, deklaroi Escobar. Ai tha se BE-ja veçse ka ofruar disa modele të tilla, që nuk e shkelin kushtetutshmërinë e shteteve.
Escobar tha se pesë shtetet e BE-së, që ende nuk e njohin Kosovën, presin zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë. Ai tha se nga Kosova presin që të zbatojnë Asociacionin.
“Nga pala kosovare, njerëzit po presin zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk mund të shmanget Asociacioni që Kosova të lëvizë drejt integrimit evropian”, tha Escobar.