Akademia e Shkencës dhe Arteve e Kosovës e ka organizuar një tryezë shkencore për nder të 100 vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe kryetarit të parë të Akademisë, Esad Mekuli.
Me këtë rast, kryetari i Akademisë, Hivzi Islami, i ka dhënë edhe medaljen e ndarë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vajzës së të ndjerit, Drita Mekuli.
Kryetari i Akademisë, Hivzi Islami në emër të Akademisë e ka falënderuar presidentin Thaçi për vendimin për ta ndarë këtë medalje për shkrimtarin Mekuli.
“Në emër të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës e falënderoj presidentin e Republikës për kujdesin dhe respektin që tregoi me këtë rast duke e dekoruar kryetarin e parë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës post mortum, Esad Mekuli, njeriun që ishte në ballë të kulturës shqiptare në Kosovë për mbase 40 vjet”, tha Islami.
Kurse, vajza e Esad Mekulit, Dita Mekuli, tha se kjo medalje është e rëndësisë së veçantë pasi që është e para që ndahet nga shteti i Kosovës, për të cilin siç u shpreh ajo, babai i saj punoi shumë.
“Gjatë jetës së tij babai ka marrë shumë mirënjohje, medalje, dekorata. Ashtu i dashur dhe i respektuar me një shpirt të mirë, humanist pa kufi, altruist, njeri i cili deri në fund të jetës ka punuar pa ndërprerë në ngritjen e nivelit kulturor të popullit të tij, ngritje e të cilit nivel ai ka qenë thellësisht i bindur, ua hapte të gjitha shtigjet tjera popullit të tij. Si do që të jetë kjo medalje është e rëndësisë së veçantë për familjen e tij se është e vetmja që jepet nga shteti i Kosovës. Shteti i Kosovës që në kohën e babës ka qenë një ëndërr e bukur për të cilën vlen të sakrifikohet dhe të punohet vazhdimisht”, tha Mekuli.
Esad Mekuli është ndër poetët më të njohur të Kosovës së pas Luftës së Dytë Botërore.
Mekuli ka lindur më 1916 dhe ka vdekur në vitin 1993 në Prishtinë. /kp/