Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike ka bërë të ditur se erërat e forta, të përcjella me reshje shiu, që kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të vendit tonë, kanë shkaktuar dëme edhe në rrjetin elektrik.
KEDS njofton se zonat më të prekura janë Gjakova dhe Prizreni, ndërkaq gjatë ditës pritet që situatë e njëjtë do të mund të jetë edhe në rajonin e Pejës, në Drenas, në Skenderaj e deri në Prishtinë.
“Ekipet e KEDS-it janë në terren që nga mbrëmë. Derisa një pjesë e madhe e dëmeve janë sanuar, KEDS-i po shton numrin e punëtorëve në terren, sipas nevojës, në mënyrë që në një afat optimal të sanojë dëmet e shkaktuara si rrjedhojë e këtyre kushteve atmosferike, dhe që furnizimi me energji elektrike për të gjitha këto zona të prekura t’i kthehet normalitetit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/