Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke theksuar se përfshirja e plotë e Turqisë në përpjekjet e mbrojtjes të Bashkimit Evropian (BE) është e domosdoshme për paqen dhe sigurinë e Evropës, tha se nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm pse procesi i anëtarësimit të vendit të tij “po bllokohet me vite”.
Erdogan mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që po mbahet në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.
Ai tha se përfshirja e plotë e Turqisë në përpjekjet e mbrojtjes të Bashkimit Evropian është e domosdoshme për paqen dhe sigurinë e Evropës.
“Nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm pse procesi i anëtarësimit të një vendi kandidat i BE-së si Turqia, që jep kontribute të rëndësishme, po bllokohet me vite”, theksoi presidenti turk.
Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Erdogan tha: “Negativitetet e shkaktuara nga lufta në Ukrainë po thellohen dita-ditës. Zgjatja e luftës i lë gjithnjë e më pak hapësirë diplomacisë”.
Ai tha se javët e kaluara ka biseduar me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa para tij ka pritur në takim kryediplomatin ukrainas Andrii Sybiha.
“Ua përcolla mesazhin se duhet t’i japim hapësirë diplomacisë”, tha Erdogan.
Erdogan foli edhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme.
“Gjenocidi që po vazhdon prej një viti në Gaza është turpi i përbashkët i njerëzimit. Kësaj i shtohen edhe sulmet e pamoralshme dhe ilegale në Bregun Perëndimor dhe Liban”, tha Erdogan duke shtuar: “Ata që mbështesin pa kushte agresionin e Izraelit, duhet ta dinë se janë bërë bashkëfajtorë në krimet e kryera”.
Erdogan theksoi se është thelbësore që të ushtrohet presion ndaj Izraelit për arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm dhe për sigurimin e ndihmës së mjaftueshme humanitare në rajon.
“U bëj thirrje të gjitha vendeve që nuk e kanë njohur ende Palestinën që ta bëjnë këtë, për të kontribuuar në drejtësinë dhe paqen globale”, u shpreh ai. /AA/