Duke adresuar çështjet kyçe rajonale, duke përfshirë situatën e vazhdueshme në Siri, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan uroi të premten që marshimi i forcave rebele drejt Damaskut të vazhdojë pa aksidente dhe fatkeqësi.
“Idlib, Hama, Homs dhe qëllimi është sigurisht Damasku. Po vazhdon marshimi i opozitës. Dëshira jonë është që ky marshim në Siri të vazhdojë pa aksidente dhe fatkeqësi”, tha Erdogan para gazetarëve pas namazit të së premtes në Stamboll.
Ai gjithashtu shprehu zhgënjimin me lidershipin sirian, duke thënë se “ne ftuam (Bashar al) Assadin. Ne thamë, ‘Ejani, të vendosim së bashku të ardhmen e Sirisë’. Fatkeqësisht, nuk morëm përgjigje pozitive për këtë”.
Sa i përket Libanit, Erdogan theksoi rrethanat e vështira në vend, shkruan reuters.
“Libani është në një situatë shumë të vështirë. Gjithçka është rrënuar. Ka kërkesa për ndihmë. Në një kohë kur bota hesht, ne do të vazhdojmë me ndihmën tonë”, tha lideri turk.
Duke bërë thirrje për unitet në Liban, Erdogan theksoi angazhimin e Ankarasë për të mbështetur kombin e goditur nga kriza.
Ndryshe, rebelët sirianë kanë nisur një kryengritje dhe për synim kanë heqjen nga pushteti të Assadit. /Telegrafi/