Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Malajzi, ku kryeministri i këtij vendi, Anwar Ibrahim, i ka rezervuar një pritje të pazakontë.
Përveç takimeve zyrtare, Ibrahim vendosi ta shëtiste presidentin amerikan me një veturë të prodhimit turk, Togg. Erdogan i tregoi Ibrahimit brendësinë e makinës dhe e njohu me veçoritë e saj.
Më pas, kryeministri malajzian dhe presidenti turk ndërruan rolet, dhe Ibrahim mori drejtimin e veturës duke u bërë për pak çaste shoferi i Erdoganit.
“Për herë të parë, presidenti është pa sigurim”, tha kryeministri malajzian.
Pas kësaj, Erdogan e pyeti nëse i pëlqente dizajni i makinës, dhe Ibrahim e konfirmoi këtë. Dy liderët vazhduan bisedën e tyre, duke impresionuar shumë njerëz me spontanitetin e tyre, diçka që është e rrallë në takime të kësaj natyre.
Ndërkohë, në konferencën zyrtare për shtyp, lideri turk dhe Ibrahim prekën një sërë temash, përfshirë edhe idenë e Donald Trumpit për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza.
“Sa mund të negociohet kur kolonizatori nuk është tërhequr? Kjo është gjithashtu çështje e politikës së konfiskimit të pronës. Kur u merrni njerëzve tokën, shtëpitë, pasurinë… kemi dy probleme që duhen zgjidhur. Njëri, natyrisht, është ndihma e menjëhershme humanitare, por gjithashtu duhet një zgjidhje afatgjatë dhe miqësore për problemin”, tha Ibrahim. /Telegrafi/