Site icon Telegrafi

Epidemia si metaforë e ekzistencës

Nga: Arjan Kallço

Autori që me “Murtajën” na mësoi sesi të duhemi në distancë

Në këto ditë të kapur nga murtaja, me karantinën e padëshiruar dhe nga një alarmizëm i fortë, emri i Albert Kamysë (Camus) na kthehet shpesh, sigurisht e lidhur me një libër të madh klasik si “Murtaja”, që tregon për gjendjen e epidemisë (pandemisë aktuale) dhe e shndërron në metaforë ekzistenciale universale.

Sipas lajmeve romani është në majë të klasifikimeve të shitjeve edhe në Francë. Në janar u shitën gati 40 për qind të kopjeve të blera në një vit: Mrekullia e Koronavirusit???

Kamyja nuk është vetëm një prej etërve të ekzistencializmit nihilist dhe të Teorisë së Absurdes si arsyeja e fundit e realitetit. Lindur në Algjeri, aktivist dhe ish-komunist, një prej njerëzve kult – bashkë me Sartin dhe Vianin – ishin midis atyre që frekuentonin lokalet më të famshme të Shën Zhermenit në Paris. Kamyja ishte shumë kritik ndaj Francës që i masakronte algjerianët pas luftës.

Një njeri i kufijve, por edhe një njeri i provincës dhe përfaqësues i minoriteteve – ka theksuar Mario V. Llosa, në një pozicion shumë stimulues edhe për Evropën tonë të sotme, Evropën që e mbrojti si projekt bashkë me Altiero Spinellin, duke marrë pjesë në Konferencën e Federatës Evropiane të vitit 1945 dhe që e gjejmë te traktati “E ardhmja e qytetërimit evropian”, marrë nga një fjalim që mbajti dhjetë vjet më vonë në vitin 1955 në Athinë. Një sulm i drejtpërdrejtë frontal ndaj sovranistëve bashkëkohorë, edhe pse duke mbrojtur një pluralizëm ekuilibrues mes kombeve të ndryshëm. Evropa ka nevojë për frymëmarrje, hijeshi, mënyra mendimi që të mos jenë provinciale, ndërsa janë për momentin të gjitha mënyrat tona të mendimit.

Kamyja është edhe një njeri me fatin tragjik të vetin: përtej jetës së impenjuar, pati dashuri të shpeshta, famë të madhe, por edhe i pafat. I sëmurë nga tuberkulozi prej kohësh, u përplas në një aksident me makinë me mikun dhe botuesin Gallimard. Përtej romaneve të tij dhe eseve klasike, mes të cilave duhet riparë ajo më pak e kuptuara, Rënia, që të ripërshkojmë jetën dhe shembullin e tij, është e dobishme të rilexojmë Fletoret e tij të mrekullueshme. Fletoret janë një dokument tepër personal, por edhe si ditar, të shkruara gjatë gjithë jetës, një fletore shënimesh me skica dhe mendime dhe me incipit, që më pas u zbuluan ( si, I huaji), duket se sillen rrotull atyre që autori i ka përcaktuar me fjalët e tij: “Bota, dhimbja, toka, nëna, njerëzit, shkretëtira, nderi, varfëria, vera, deti”.

Më tej shënime udhëtimi, disa shumë sensuale, si ato nëpër Itali, në pelegrinazh në Torino në vendet e Niçes, në Xhenova, në Romë me Alberto Moravian dhe në Firence, duke adhuruar piktorët primitivë fiorentinas dhe sienezë, faqe të mbushura në kërkim të lumturisë, por edhe të trishtimit, kur troket sëmundja. Trëndafilat e vonuar në manastirin e shën Marisë së re dhe gratë, këtë të diele në mëngjes, në rrugët e Firences. Gjokse të lira, sy dhe buzë që të lënë pafrymë, grykën e thatë dhe një zjarrmi në veshka. Sot ndoshta të ngushëllon për bukurinë e Italisë, na duket e papranueshme, kur gjithçka është mbyllur dhe në alarm.

Ai që dëshiron të vazhdojë me një element sensual, i pranishëm në Fletoret, në ditët, ku në këtë situatë të sotmen çdo lidhje, edhe sentimentale, duket se është e dënuar në distancën e sigurisë, të paktën në dy metra, mund të gjejë së fundi spunto në Korrespondencën mes tij dhe aktores spanjolle Maria Casares, që e botoi disa vite më parë Gallimardi. Korrespondenca (1944-1959) kap vitet e suksesit maksimal të autorit dhe fillimit të karrierës së Marisë, duke e gërshetuar me pasionin marramendës që kishte, mos harrojmë se Kamyja ishte i martuar, për aktoren e re që sapo i kishte mbushur 20 vjet, pasion që lulëzoi si në një përrallë gjatë natës së zbarkimit në Normandi të Aleatëve.

Ndërsa ai ishte në udhëtime nëpër konferenca dhe prezantime, laureat me çmimin Nobel në 1957, ajo luan në skenat e teatrove të Evropës dhe Amerikës. Janë 865 letra të shkruara në distancë vuajtjesh dhe udhëtimesh nëpër botë, me zhgënjime personale dhe me kërkimin e afrimeve edhe trupore, ku Kamyja duket, përmes lentes së pasionit, se na paraqit të gjitha teoritë e tij. “Me kalimin e viteve unë i humba rrënjët e mia, në vend që t’i krijoja ato, me përjashtim të njërës, TY që je burimi im i jetës, gjëja e vetme që sot më lidh me botën reale” – i shkruan asaj më 21 korrik 1958.

Korrespondenca ndërpritet në dhjetor 1959, kur Kamyja ndërroi jetë më 4 janar 1960 në një aksident rrugor. Eseja e autorit Giovanni Catelli, Kamyja duhet të vdesë, dëshiron të zbulojë ndoshta sekretin më të madh të kësaj vdekje.

Nuk ishte një fatalitet, por ndoshta vetë KGB-ja që ia difektoi makinën. Ishte Ministri i Jashtëm rus, Shepilov, që duket se e porositi atentatin, sepse Kamyja kishte qënë shumë kritik ndaj tij dhe për më tepër kishte mbështetur kandidaturën e Boris Pastërnakut. Libri i përkthyer dhe në frëngjisht, ka edhe shkrimin e Paul Austerit, edhe ai mbështetës i komplotit dhe flet për vrasje politike.

 

Exit mobile version