Chelsea ka vendosur që ta vendos në shitje një lojtar të ekipit të parë para hapjes së afatit kalimtar të janarit.
‘Blutë e Londrës’ kanë pasur një afat kalimtar veror të ngarkuar sa i përket blerjeve dhe largimeve, ani pse fokusi i tyre kryesor ka qenë për shkurtimin e skuadrës që në ndeshjen hapëse të Ligës Premier pati 43 lojtarë.
Trajneri Enzo Maresca me sukses e ka përmbushur këtë detyrë në atë që ishte misioni i tij më i vështirë si trajner i Chelseat, ani pse disa lojtarë të padëshiruar si Ben Chilwell kanë ende kontratë me klubin.
Maresca ka arritur që Chelsean ta udhëheqë drejt vendit të dytë në elitën e futbollit anglez, teksa ata janë vetëm dy pikë mbrapa liderit Liverpoolit pasi kanë luajtur një ndeshje më shumë.
Si rezultat, janari nuk pritet që të jetë i ngarkuar në ‘Stamford Bridge’ në krahasim me afatet e kaluara, ani pse disa lojtarë mund të largohen nga klubi.
Sipas mediumit spanjoll Relevo, Chelsea e ka vendosur në shitje qendërmbrojtësin Axel Disasi.
Francezi ka luajtur nga minuta e parë në vetëm dy ndeshje në Ligën Premier këtë sezon dhe ka marrë minuta ekskluzivisht vetëm në Ligën e Konferencës.
Chelsea shpenzoi 39 milionë euro për ta transferuar 26-vjeçarin nga Monaco në 2023 dhe ai ishte titullar i rregullt nën urdhrat e Mauricio Pochettinos.
Sidoqoftë e njëjta nuk ka ndodhur edhe këtë sezon me Marescan, pasi ky i fundit ka preferuar Levi Colwill, Wesley Fofana dhe Benoit Badiashile para tij./Telegrafi/