Në një mbledhje Të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së të zhvilluar fillimin e vitit 1979 ku është diskutuar për artin dhe kulturën, mbledhje të cilën e ka drejtuar vetë Enver Hoxha, përveç dy sekretarëve të Komitetit Qendror, Hysni Kapos, që mbulonte organet e “Diktaturës së Proletariatit”, dhe Ramiz Alisë, që mbulonte artin, kulturën e propagandën, ka marrë pjesë dhe Xhelil Gjoni, sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, Vito Kapo, ministre e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore, Lumturi Rexha, sekretare e parë e Komitetit Qendror të Bashkimit të Grave të Shqipërisë, etj. Në atë mbledhje kanë qenë të ftuar edhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli, si dhe poeti, studiuesi e shkrimtari Moikom Zeqo. Të gjitha diskutimet e zhvilluara në atë mbledhje ku Enver Hoxha ka folur shumë edhe për artin e kulturën, duke u përqendruar te teatri dhe kinematografia shqiptare dhe ajo botërore, ku mes të tjerash ka folur dhe vlerësuar shumë, aktoren e re Majlinda Gjodede që interpretonte rolin kryesor të filmi “Dollia e dasmës sime” (me skenar të Ruzhdi Pulahajt dhe regji të Mark Topallajt), duke e krahasuar atë me aktoren e famshme franceze, Brixhid Bardo (Brigitte Bardot), si dhe lojën e aktorëve të tjerë shqiptarë, si: Sandër Prosi, Robert Ndrenika, Mirush Kabashi etj. Ky shkrim është marrë nga libri “Kadare në dokumentet e ‘Pallatit të Ëndrrave” të autorit Dashnor Kaloçi dhe botohet me disa shkurtime, duke dhënë më shumë ato pjesë të dokumentit ku bëhet fjalë për kinematografinë)
Mbledhja e sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së
SHOKU XHELIL GJONI: Para se të hynim në mbledhjen e sekretariatit ishim në tension, por ja tani nga kjo bisedë që u bë këtu në këtë mënyrë e harruam fare emocionin.
SHOKU ENVER HOXHA: Mbase kështu duhet zhvilluar mbledhja. Qoftë se kam ndonjë të metë, që jua pres fjalën, ma thoni.
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe rinia kështu do t’i zhvillojë mbledhjet.
SHOKU MOJKOM ZEQO: Të them të drejtën, shoku Enver, nuk më zinte gjumi mbrëmë.
SHOKU ENVER HOXHA: Nuk të zinte gjumi, se mendoje që nesër do të vete në sekretariat, ç’do të them unë atje? Si do të më dëgjojnë shokët Hysni, Ramiz, Enver dhe gjithë shokët e tjerë?
SHOQJA LUMTURI REXHA: Kjo është dëshira për t’u takuar me shokët e sekretariatit të K. Q. të Partisë.
SHOKU ENVER HOXHA: Ne nuk i gjykojmë njerëzit vetëm nga fjalët që thonë nëpër mbledhje, por i çmojmë në tërësi, duke parë gjithë veprën e tyre, gjithë punën e tyre, të shkuarën, të tashmen e të ardhmen e tyre. Ju që jeni të penës, mundet të gjeni plot gabime në frazat tona, por në muhabete të lira nuk i shikojmë frazat.
SHOKU DRITËRO AGOLLI: Po edhe ne të penës plot ujëra kemi në shkrimet tona.
SHOKU ENVER HOXHA: Ua kam thënë edhe shokëve këtë që po ju tregoj. Vajta njëherë në Gjirokastër për festën e pavarësisë kombëtare dhe mbajta një fjalim në darkë. Atje ishte i pranishëm edhe mësuesi i vjetër dhe patriot, Thoma Papapanoja. Pasi mbajta fjalimin, e pashë Thomanë, për të cilin vazhdimisht kam pasë respekt, dhe iu afrova, se vete njeriu te mali, jo mali te njeriu: Si të kam, more basho Thoma, e pieta dhe i hodha dorën në qaf. Eh, vazhdova unë, si fola? Më thuaj të drejtën si mësuesi nxënësit.
Sa për mendimet nuk kam çfarë të të them, m’u përgjigj Thomai, ato ishin të tëra të mira, kurse për gramatikën po të vë notën shtatë. (të qeshura). Që ta zbuste njeçikë qëndrimin e tij, shtoi e po kuptohet, se fole pa kartë. Pa kartë, i thashë unë, por ngatërrova rasën emërore dhanore dhe në vend që të them ne, thashë “neve”.
Po t’u futemi rregullave të drejtshkrimit duhet të themi se në këtë fushë bëjmë plot gabime, por shyqyr që kemi në ndihmë shokët e rinj, të cilët i janë vënë punës dhe na korrigjojnë shkrimet. Zotërimi i drejtshkrimit, i gjuhës dhe i shenjave të pikësimit, ka mjaft rëndësi. Shumë shkrimtarë francezë, edhe Aragoni në mes tyre, në një kohë i zhdukën shenjat e pikësimit nga shkrimet e tyre.
***
SHOKU ENVER HOXHA: Shumë mirë, shumë mirë. Epo ja, patëm një bisedë të lirë, nga e cila po dalim me njohuri pak më të thella. Të huaj s’kemi qenë për këtë çështje, sepse tashti sidomos, me zhvillimin e madh të artit popullorë, të këngëve të valleve popullore, të përpjekje e drejtë të tyre, literatura, artet, muzika, kinematografia, teatri ynë etj. Po bëhen çdo ditë ushqimi i gjithë popullit. Siç e tha Dritëro Agolli duhet të jemi plotësisht të bindur, se ajo që bëri Partia për të mos lejuar të vërshonin në vendin tonë literatura, poezia dhe filmat e huaj në atë mënyrë siç donin Fadil Paçrami, Todi Lubonja ose siç dëshironin Perëndimi, ka qenë e drejtë. Ne, duke vepruar kështu, nuk kemi bërë një punë sektare, por shpëtimtare. Për aq sa kemi mundur, pse dhe forcat tona përkthyese nuk kanë qenë aq të mëdha, ne kemi përkthyer për lexuesit edhe vepra të klasikëve të letërsisë botërore. Them kemi përkthyer pak, se në mes tyre mund të zgjidheshin edhe më shumë. Natyrisht, ajo është një literaturë borgjeze, por në të ka disa gjëra që i ndihmojnë njerëzit tanë të shoqërisë së re socialiste, për ta kuptuar zhvillimin e botëkuptimit në shoqërinë borgjeze.
Kështu njerëzit tanë shohin inferioritetin e kulturës borgjeze ndaj kulturës sonë socialiste. Nuk thoshte kot Marksi që “Balzakun e mbaj nën jastëk”. Balzaku shkroi pikëpamjet e tij ruajaliste në luftën kundër borgjezisë dhe e bëri atë shoshë, e zhveshi fare lakuriq. Marksi thoshte e mbaj në kokë Balzakun, pse në veprat e tij pasqyrohet lufta kundër, borgjezisë, kundër kapitalizmit dhe kalbëzimit të kësaj borgjezie.
Të shkosh me mendjen e Namik Resulit, që përmenda pak përpara, i cili thoshte se Faik Konica nuk mund t’i duronte pikpamjet e Sami Frashërit, të Jani Vretos e të Naun Veqilharxhëve, është tradhti. Ai mbronte Konicën, duke u shprehur se kultura e perëndimit ishte një kulturë më e përparuar. Ai, në mbrojtje të kësaj teze, citon Verlenin, që ishte një element homoseksual. Në formë Verleni, poezitë i ka të bukura, por brenda poezive të tij ka ide të mbrapshta. Namik Resuli gjithashtu citon Rembonë, që ishte i dashuri i Verlenit, që në një kafe të errët të Brukselit qëlloi me kobure dhe pastaj u ngrit e shkoi në Afrikë, ku vdiq. Ai përmend kulturën e Bodlerit, që njihej si njeriu i kafeneve, i opiumeve dhe i vajzave të liga. Kryevepra e tij është “Lulet e së keqes”. Kjo ishte “kultura” e tyre, që ne nuk mund ta linim të hynte në vendin tonë, që të na njolloste këtë rini kaq të pastër që ka edukuar Partia. Jo, këtë gjë nuk do ta lejojmë.
Unë, kur kam kohë të lirë, lexoj libra francezë, kështu lexoj libra politik, por herë pas here marr në dorë edhe romane e poezi. Ju flas si marksist që ato nuk lexohen. Prej tyre nuk mundet të lexosh më tepër se 20 faqe. Ata libra as mund t’i krahasosh me veprat e klasikëve, bile as të atyre të borgjezisë së shekullit të 19. Kur lexon, për shembull, një libër borgjez të kohës së kaluar, shikon karakterin e punëtorëve, të fshatarëve, të grevave e të tjera.
Kurse botimet aktuale të borgjezëve janë të tmerrshme. Kjo nuk mund të thotë që në mes tyre të mos ketë edhe romane e poezi që mund të lexohen. Unë flas për letërsinë franceze e jo për të tjerët, të cilat gjithashtu pak a shumë në ato ujëra janë. Prandaj për kufizimin në këtë drejtim të letërsisë së huaj nuk kemi bërë keq. Ne nuk mund të ushqejmë popullin me helme.
Nga halli ne kemi sjellë edhe filma nga jashtë. I dimë tërë arsyet e këtij veprimi, por më përpara nuk kishim nga ato njerëz kompetentë, as mjete për të prodhuar filma vetë. Megjithatë këta filma nuk i prishin ndërgjegjen dhe shijet artistike të masave, se propaganda e Partisë ka bërë punën e saj, ajo është e thellë dhe e fortë në njerëzit tanë, të cilët e ruajnë karakterin e fortë, ndershmërinë, burrërinë, ndjenjën e drejtësisë dhe të urrejtjes kundër vrasjes, korrupsionit e ligësive. Njerëzit tanë i shikonin filmat e huaj sa për të kaluar kohën. Partia jonë i dha me kohë një hov zhvillimit të kinematografisë, me të cilën duhet të jemi kënaqur. Ne duhet të jemi të kënaqur që aktualisht kemi një brumë të formuar në të gjithë sektorët, për të cilën vazhdimisht për t’i shërbyer ndërtimit të socializmit dhe mbrojtjes së atdheut.
Zhvillimi i këngës dhe i valles popullore, për njëfarë kohe, na kishin mbetur akoma në një nivel të paorganizuar si duhet. Këngët janë ruajtur nga populli brez pas brezi dhe njerëzit, të mbledhur kokë më kokë, vazhdimisht këndonin, por përpara, niveli i koncerteve linte shumë për të dëshiruar. Është krejt ndryshe tani.
Tërmeti i rëndë i 15 prillit të këtij viti, ngriti në këmbë gjithë popullin. Nga heroizmi i punonjësve tanë për të përballuar pasojat e tërmetit do të frymëzohen shkrimtarët dhe artistët tanë për të bërë poezi, romane, piktura, pjesë muzikore etj. Kur dëgjon të flasin njerëzit e popullit me një gjuhë që të mahnit, nuk mund të mos frymëzohesh. Për këtë arsye Partia këshillon të shkojmë në popull, se në gjirin e tij është gurra e madhe që ushqen njerëzit. Te populli gjendet pasuria e madhe e gjuhës sonë, e shprehjeve tona, e mendimeve tona më të mira. Atje duken qartë kurajoja, guximi dhe mençuria e thellë.
Asnjërit të mos i rritet mëndja nga sukseset në punë sa të thotë: unë jam i mençur. Sado i zgjuar të jetë një njeri, ai kurrë nuk mundë të jetë i mençur se populli. Në kontaktet me popullin gjendet gjithçka që i duhet dijetarit. Zotësia e secilit prej nesh duket në sintezën që ai i bën diturisë së masave me botëkuptimin e shëndosh marksist-leninist. Botëkuptimi i shëndoshë dhe karakteri militant që krijon një vepër, e çdo natyre qoftë kjo, lë mbresa edhe për brezat e ardhshëm, kur pasqyron shpirtin e popullit. Nuk shlyhen kurrë ato vepra, që i kanë themelet në tabanin e popullit.
Në historinë botërore njihen shumë vepra letrare e artistike të botuara nga institucione të ndryshme. Janë shkruar me miliona libra në të gjithë gjuhët, por pjesën më të madhe i ka marrë me vete rrëkeja e kohës. Llumi është zhdukur dhe ka mbetur përsipër vetëm ajka. Shekuj të shumtë kanë kaluar pas Homerit, por veprën e tij ata nuk e kanë shlyer, sepse në to është pasqyruar epoka historike e lashtësisë. Një nga ato drejtime të zhvillimit tonë ideoartistik, që ju nuk zutë me gojë këtu, është, për shembull, kinematografia. Unë mendoj se, pa qenë shovinistë, mund të thuhet se kinematografia jonë ka bërë një hop të madh cilësorë përpara; filmat tanë, që po shohim aktualisht, rrallë i gjen jashtë. Ndjenjat e shprehura në to, interpretimi i bukur, ambient i ngrohtë e i shëndoshë i tyre, frymëzojnë me realizëm jo vetëm njerëzit tanë, por, siç tha Dritëro Agolli, edhe të huajt që na i duan të mirën. Filmat tanë tregojnë me realizëm jetën tonë, të kaluarën, perspektivën dhe aspiratat tona. Në qoftë se filmat tanë nuk blihen jashtë, kjo provon se borgjezia trembet nga përmbajtja e tyre revolucionare. Ne kemi informata se Qeveria Turke ka dhënë urdhër të mos blihen filmat shqiptarë me arsyetim se: na futet zjarri brenda. Ne kemi informata gjithashtu se në festivalin e filmit që u zhvillua në Stamboll, njerëzit thyenin dyert nga dëshira e madhe për të parë filmat tanë. Nuk na u dha çmimi, se filmat tanë me metrazh të gjatë, nuk kishin hyrë në konkurs. Atje konkurruan vetëm filmat me metrazh të shkurtër.
E kishim parë edhe më përpara filmin “Dollia e dasmës sime”, që u dha në festivalin e filmit tonë. Ai është i zhanërit që shkruan Dritëroi. Kush e ka bërë skenarin e atij filmi, Dritëro?
SHOKU DRITËRO AGOLLI: Atë e ka shkruar Ruzhdi Pulaha, ai që ka shkruar edhe komedinë “Zonja nga qyteti”.
SHOKU ENVER HOXHA: Sidoqoftë ky skenar është i zhanrit të Dritëroit, i cili shkruan me realizëm dhe konkretisht për fshatarët. Ju poetët e rinj, duhet ta ndiqni shembullin e tij. Sa film i bukur, i realizuar me ndjenja, ishte ai për ne. Sa bukur interpretonte artistja që është një vajzë e re. Vetëm me sytë e saj, pa folur fare, ajo flet për atë që është zor të shprehet me fjalë. Le t’i bëjnë reklama sa të duan në Francë dhe në të gjithë botën Brixhit Bardosë, por artistja jonë e re e këtij filmi, e lë në bisht të urës Bardonë.
Në film tregohen në mënyrë prekëse zakonet e popullit tonë, tregohet jeta e nënave tona që i fejonte babi në djep. Aty unë pashë edhe jetën e nënës time. Një ditë gjyshi im, babai i nënës, siç më kanë treguar, rrinte i mërzitur në kafe. Ç’ke more Jonuz, pse rri kështu i vërejtur? – e kishte pyetur vëllai i babait tim. – po ç’të kem, më lindi vajzë, i qe përgjigjur gjyshi.
– O …., punë e madhe, ta marr unë për djalin tim.
– Po ti s’ke djalë, i ishte përgjigjur gjyshi.
– Nuk kam unë, por im vëlla, Nexhipi, ka Halilin.
Dhe aty e kishin vendosur e i kishin dhënë dorën njëri-tjetrit. Gjyshi qe kthyer shpejt i gëzuar në shtëpi dhe u kishte thënë familjarëve: e fejova çupën me të birin e Nexhip Hoxhës. Kaq e kishte patur fejesa e nënës sime me babanë tim. Të tilla ngjarje na kujtohen në këtë film.
Episode në filmin “Dollia e dasmës sime” janë thurur kaq bukur e me shije të hollë, sa të bëjnë për vete. Kur plaku në anë të oxhakut i flet vajzës, spikat dukshëm karakteri i vjetër i bashkuar me ndjenjat e kulturës sonë. Më fal, i thotë vjehrri nuses, dhe me të gjitha ato gjestet e tij paraqitet i rreptë për diçka, por edhe i dashur, përparimtarë dhe patriot për gjërat e mëdha. Kjo duket natyrshëm kur ai thotë: ‘hajde ti vajzë, lidhja plagën të plagosurit’.
Ose te filmi “Gjeneral Gramafoni” është historia që kemi jetuar vetë ne. muzika e këtij filmi është zgjedhur nga ato melodi të ëmbla që na kanë kënduar nënat tona në djep. Kënga jonë tronditëse e shoqëron aksionin politik këmba-këmbës dhe del fitimtarë. Ajo e dërrmon armikun, siç e dërrmuan trimat me armë në dorë. Kënga jonë, me jehonën popullore është kushtrim për luftë.
Në shoqërinë borgjeze, doemos nuk i pëlqejnë filmat tanë. Nuk i pëlqen borgjezia, se morali ynë proletar është në kundërshtim me moralin e degjeneruar borgjez. Megjithatë edhe në këtë shoqëri ka shumë njerëz që nuk e durojnë degjenerimin e djemve dhe të vajzave të tyre, thirrjet e borgjezisë për “lirinë seksuale”. Popujt janë armiq të degjenerimit, kurse klasat shfrytëzuese e ushqejnë atë.
Pse masat punonjëse në Turqi i duan filmat tanë? I duan se shohin si kemi kaluar ne nga errësira në dritë. Ata shohin një film që paraqet si ka qenë gjendja 40 vjet më parë në Shqipëri, pastaj një film tjetër paraqet periudhën e ndërtimit të socializmit. Masat në Turqi krahasojnë zhvillimin e tyre me tonin dhe shikojnë sa mbrapa kanë mbetur; ata kujtojnë kohën kur rronin në guva diku, andej në fund të Anadollit dhe u bie në sy shkëmbi me gropa, ku futen akoma njerëzit pa strehë nëpërmjet shkollave më baltë. Të gjithë kemi lexuar romanin aktual “Mësuesi” që të bën të vesh duart në kokë për realitetin e hidhur në Turqi. Kur ata shohin filmat tanë dhe i krahasojnë në nivelin e tyre të zhvillimit, duket qartë ndryshimi ynë me gjendjen e tyre sot. Kur bien në kontakt jashtë me literaturën tonë ideologjike, nuk duan t’ia dinë për asgjë dhe çahen për ta blerë. Të ndjekim këtë rrugë, thonë ata, se kjo është rruga jonë. Në këto kushte qeveria urdhëron që të mos blihen librat tanë, se u “futin zjarrin brenda”.
SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe për filmin “ Gjenerali Gramafoni” që u shfaq në Turqi, thanë se kjo, që është bërë në Shqipëri, bëhet edhe te ne nga kultura amerikane.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, kultura amerikane depërton në Turqi, sepse në kapitalizëm shteti më i fortë u eksporton edhe natyrën e jetesës shteteve më të dobëta. Mënyra e jetesës nuk është vetëm blerja e drogave, e najlonit, e kostumeve ose e këpucëve, por nëpërmjet blerjes së tyre blihet edhe kultura e huaj që e korrupton masat.
Aktorët tanë, të vjetër e të rinj, profesionalistë dhe amatorë, janë të mëdhenj, se kanë dalë nga gjiri i popullit dhe i ka edukuar Partia. Kur shikon Sandër Prosin në filmin televiziv “Udha e shkronjave”, duke interpretuar rolin e Dhaskal Todorit, secili jetonte me përpjekjet e sakrificat e dijetarëve tanë të mëdhenj, që flijuan jetën e tyre.
Ai film paraqet me të vërtetë forcën e madhe të popullit tonë, zotësinë dhe vetëmohimin e njerëzve tanë. Kur shohim filma të tillë, njerëzit tanë thonë: ‘more, në këto kohëra të vriste tjetri për hiçgjë dhe shikoje për dhjam qeni, siç u vra Dhaskal Todri për shkronjat e gjuhës shqipe. Kisha reaksionare të fuste thikën prapa shpine e përse? Sepse doje gjuhën tënde.
Të njëjtat përshtypje për të kaluarën e hidhur, për intrigat e klasave shfrytëzuese, u krijohen spektatorëve edhe kur shikojnë koncertin e Tefta Tashkos e të tjera. Robert Ndrenika, që interpreton me mjeshtëri rolin e nënprefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”, është një artist i talentuar. Ai duhet të jetë artist i merituar, por nuk e bënë të tillë, se na paska vëllanë të arratisur. Na u prish puna, se Ndrenika e paska vëllanë të arratisur. Po kush pyet për vëllain e tij. Ne do ta kemi parasysh origjinën e njerëzve, por kjo nuk duhet të na pengoji për të parë qëndrimin dhe punën e vet personit. Edhe rrethi familjar duhet studiuar lidhur me personin, por, në qoftë se djali bëhet patriot, punon për socializmin dhe sakrifikon për atdheun, qëndrimi i babait apo i vëllait nuk mund të bëhet pengesë për të vlerësuar punën e tij. Po të veprohet ndryshe, atëherë ku vete vija e Partisë për të ndrequr njerëzit?
Këto punë nuk kuptohen drejt nga të gjithë njerëzit, more shokë. Në Bushat, një familje, që iu rrëzua shtëpia nga tërmeti dhe të zonjës së shtëpisë iu vra një djalë, por meqë një tjetër e kishte të arratisur, nuk i vajti asnjëri nga fshati për ngushëllim. Asaj nëne i mbeten dhe dy djem të tjerë si diva, por këtyre nuk u fliste njeri me gojë. Ç’është ky qëndrim? Po le ta ketë djalin të arratisur ajo plakë, ajo është qytetare. Dhe kur i vajti në shtëpi sekretari i Partisë për ngushëllim, plaka e heshtur e habitur i tha: ‘ti, more, të vish në shtëpi tek unë? Si është e mundur? Do të vij posi, i tha sekretari, ai që tradhtoi atdheun, të vejë në djall. Na, merr ç’të takojnë dhe shtëpinë do të ta ndreqi shteti. Tash dy djemtë e plakës ditë e natë punojnë të entuziazmuar dhe të ngrohtë.
Ju jeni të rinj, por ne, të moshuarit, e mbajmë mënd Lushjën e para çlirimit tamam ashtu sikurse paraqitet në film. Ai që luante rolin e komandantit të xhandarmërisë, siç më tha dhëndri im, është një shoku i tij, e interpretonte bukur atë rol.
Ne po ecim përpara në artin kinematografik, të cilin duhet ta ndihmojmë që të zhvillohet akoma më shumë. Edhe artistët e rinj, në i kemi të mirë dhe me perspektivë. Ata kanë luajtur në filma të rinj si “Vajzat me kordele të kuqe”, “Lulëkuqet mbi mure” ej. Në këto filma luajnë edhe më të vegjël, por ata i interpretojnë aq bukur, sa habitesh kur i shikon.
Edhe televizioni ynë ka marrë një rrugë të mirë. Nuk është kollaj të mbushet televizioni me shfaqje nga ora tetëmbëdhjetë e deri më njëzet e dy, ose nga një herë edhe në njëzet e tre.
SHOKU DRITËRO AGOLLI: Kurse programet e televizionit të huaj janë mbushur me shumë reklama tregtare.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, ashtu, është. Gjysmën dhe treçerekun e kohës së shfaqjeve televizive ata e angazhojnë me reklama, e filma për vrasje dhe me lajme. Kurse televizioni ynë, ka një program të pasur e të gjithanshëm. Ka emisione shkencore, recitime nga artistë dhe poetë, këngë e valle të ndryshme.
Edhe një gjë tjetër. I vini rëndësi përhapjes së librit në masat e rinisë, se në konkluzionet tuaja lexova që librat nuk para venë, në fashat. Të punoni shumë që, kur të marrë i riu një poezi të Dritëro Agollit, të Ismail Kadaresë, të Fatmir Gjatës, apo Mojkom Zeqos, që kemi këtu sot, t’i japë asaj tonin e duhur kur ta lexoji dhe ta ndjejë shpirtërisht atë që shkruhet, bile të derdhë edhe ndonjë pikë lot, që të tjerët të hapin sytë e të thonë: ku është ky libër që ta marrim e ta lexojmë dhe ne. Këto forma pune, shpesh herë kanë më shumë efekt, se sa një konferencë.
Mua më duket se fola shumë për këto çështje, prandaj t’i japim fund dhe t’ju urojmë suksese në punë. Të na jepni sa të jetë e mundur më shumë vepra të mira nga krijimtaria juaj dhe të punoni që ato t’i shfrytëzojnë masat e rinisë.
Mirë. Mbaruam. T’ju jap edhe njëherë dorën juve, shokëve dhe shoqeve të rinisë. Qofshi mirë dhe mirupafshim. (sic.) /Memorie/