Si ndodhi rrënimi i komunizmit? Pse Mihail Gorbaçovi (1 mars 1931-30 gusht 2022) në Kanada mori vendimin për të iniciuar reformat në Bashkimin Sovjetik? Pse ish-bashkëpunëtorët e tij e kanë akuzuar për spiun të CIA-s? A kishte Gorbaçovi gisht në grusht shtetin kundër vetvetes? Pse Gorbaçovi u dënua me vdekje nga “Tribunali i Popullit” në Shën Petersburg?
“Para jush është njeriu i cili në një çast, në duart e veta kishte pushtetin më të madh të cilin dikush mund ta paramendonte. Para jush gjendet njeriu i cili kontrollonte një makineri të madhe dhe tepër të fuqishme ushtarake para së cilës dridhej e tërë bota, i cili mbikëqyrte një aparat të tmerrshëm policor. Para jush është njeriu që ishte në ballë të një perandorie. Askush në botë nuk ka pasur një pushtet të tillë të pakufishëm. Kështu ishte deri në momentin kur kuptova dhe vlerësova se kështu më nuk mund të jetë dhe se duhet bërë ndryshime të mëdha. E dija që Rusia duhet të ndërrojë dhe të bëhet një shtet bashkëkohor. Për këtë shkak iniciova reformat më të mëdha në historinë e Bashkimit Sovjetik. Kam qenë në majë të pushtetit, tani jam qytetar i thjeshtë.”
Pensionisti me tri marka në muaj
Kështu, Mihail Gorbaçovi foli në manifestimin e pesëmbëdhjetëvjetorit të ardhjes së tij në pushtet, i cili u mbajt në Gjenovë të Italisë, më 11 mars të vitit 1998.
Gorbaçovi, kryetari i fundit i Bashkimit Sovjetik, superfuqia e dytë pas ShBA-së, ishte pensionist, me një pension mesatar prej tri markave gjermane. Njeriu që në vitin 1990 u stolis me Çmimin Nobel për Paqe, jetonte nga honorarët që merrte për ligjëratat e tij anekënd Perëndimit. Politikani të cilin nuk duan ta shohin në Rusi, fiton 110 mijë marka gjermane për një ligjëratë. Kjo, sa për të “vërtetuar” akuzat e shumta të cilat e kanë përcjellë në Rusi si “të paguar nga Perëndimi”. Sa për krahasim, George Bush, ish-presidenti amerikan, për një ligjëratë merrte 160 mijë marka, ndërsa Henry Kissinger, ish-sekretari i Shtetit “vetëm” 50 mijë marka.
George Bush, kryetari i Amerikës në vitet e thyerjes përfundimtare të komunizmit, iu pat falënderuar Gorbaçevit për “vitet e trimërisë, vizionit dhe përpjekjeve të mëdha”. Helmut Kohli, kancelari gjerman, ka përsëritur dhjetëra herë që bashkimi i Gjermanisë kurrë nuk do të bëhej po të mos ishte Gorbaçovi. Margaret Thatcher, kryeministre britanike për 11 vjet me radhë (në vitet 1979-1990), do të deklarojë: “Gorbaçovi përtëriu liritë e njëmendta individuale dhe politike në një pjesë të madhe të botës pa shkrepur asnjë plumb”.
Por, jashtë këtyre deklaratave të pakursyera falënderimi për meritat e mëdha të Gorbaçovit në thyerjen e “Perdes së Hekurt” dhe përfundimin e “Luftës së Ftohtë”, liderët politikë perëndimorë kurrë nuk arritën të marrin vesh pse Gorbaçovi inicioi një proces aq të madh ndërrimesh dhe kur ky mori vendimin që duhet transformuar në mënyrë rrënjësore Bashkimin Sovjetik dhe kampin socialist.
Kremlinologët (ekspertët në çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin e Bashkimit Sovjetik), pohojnë që Gorbaçovi ka ndërruar shumë pasi që i bëri vizitë Kanadasë, në vitin 1983, pra pak pasi që ishte bërë politikani nr.1 në BRSS.
Takimi me Jakovlevin në Kanada
Gorbaçovi gjatë qëndrimit të tij në Kanada u takua me kryeministrin Trudeau, të cilin shumë vite më vonë kanadezët do ta shpallin si njeriun më të merituar të shekullit XX në Kanada. Por, nuk ishte Trudeauai i cili ia theu mendjen Gorbaçovit. Ishte ky Aleksandër Jakovlev, ambasadori i Bashkimit Sovjetik në Kanada. Jakovlevin, prijësit e mëparshëm të BRSS-së e kishin dërguar ambasador në Kanada, për “ta hequr qafe” nga Moska, ku krijonte telashe të të gjitha llojeve me idetë e tij për reformimin e shoqërisë sovjetike.
Në takimin që pati me Gorbaçovin, Jakovlevi, ideologu i mëvonshëm i “Perestrojkës” dhe “Glasnostit”, reformës politike dhe ekonomike si dhe “hapjes” mediale, pos tjerash, pohoi që Bashkimi Sovjetik nuk do të mund të ekzistojë edhe një kohë të gjatë pa iniciuar ndërrimet dhe reformat e mëdha. Jakovlevi i pohoi Gorbaçevit që nëse gjendja ekonomike përmirësohet në Bashkimin Sovjetik, atëherë do të evitohet rreziku nga shpërthimi i nacionalizmit dhe secesionizmit i cili ishte rrezik permanent për Bashkimin Sovjetik, një federatë komuniste shumetnike.
Gorbaçovi kështu, dy vjet më pas, kur supozoi që ka forcuar aq shumë pozicionin e tij në Moskë saqë mund të lansojë idetë e “Perestrojkës” dhe “Glasnostit” pa hasur në rezistencë të aparatit të madh politik, policor dhe ushtarak të Bashkimit Sovjetik, nisi storien, epilogu i së cilës solli fundin e komunizmit.
Heqja dorë nga koncepti i “sovranitetit të kufizuar”
Në vitet 1988-1989, Gorbaçovi, në paraqitjet e tij publike – si në takimin e Paktit të Varshavës i cili u mbajt në Bukuresht, në vitin 1989 – do t’i bëjë me dije Perëndimit që ka hequr dorë nga doktrina e “Sovraniteit të kufizuar” të Leonid Brezhnjevit, liderët komunist sovjetik deri në vitin 1982. Sipas këtij koncepti, BRSS ruante të drejtën ql të intervenojë ushtarakisht në shtetet e kampit socialist, nëse qeveritë e atyre shteteve ndërmerrnin çfarëdo veprimi që kontestonte përkatësinë e tyre ndaj kampit socialist. Dihet që Bashkimi Sovjetik kishte intervenuar ushtarakisht në vitin 1956 në Hungari dhe në vitin 1968 në Çekosllovaki, për të parandaluar ndarjen e këtyre shteteve nga orbita e BRSS-së. Në vitin 1981, gjenerali Vojçeh Jaruzelski në Poloni, do të detyrohet të shpallë “gjendjen e jashtëzakonshme” dhe të ndalojë “Solidaritetin” e Lech Walesas, për t’iu shmangur intervenimit të paralajmëruar të Bashkimit Sovjetik. Tani, Gorbaçov ua bënte me dije edhe qeverive të shteteve lindore, por edhe Perëndimit, që nuk do të aplikojë këtë koncepcion dhe që vetë ato shtete duhet të ballafaqohen me problemet e tyre dhe me kërkesat e popullit. “Secili popull duhet vetë të përcaktojë ardhmëninë e tij dhe më askush në Evropën Lindore nuk mund të llogarisë që mund të mbetet në pushtet falë tankeve sovjetike”, pat theksuar Gorbaçovi. Ndërsa, në takimin e tij me Erich Honecker, shef komunist i Gjermanisë Lindore, pak kohë para rrënimit të Murit të Berlinit, Gorbaçov do t’ia kthejë kështu atij, pasi ky kritikoi idetë reformiste të tij: “Ju këtë vend e mbani të nënshtruar vetëm me terror dhe me frikë, duke e izoluar atë nga mbarë bota …”
A kishte marrëveshje midis Gorbaçovit dhe Papës
Një qëndrim i tillë politik i Gorbaçovit ndikoi që në Rusi, por edhe në shumë vende perëndimore, Gorbaçovi të shihet si agjent i CIA-s. “Po, shumë herë më kanë pyetur drejtpërdrejt: A jeni agjent i CIA-s. Unë vetëm kam qeshur në ato raste. Në fakt, në fillim të viteve kur iniciova reformat, mendoja që shumëkush, brenda dhe jashtë vendit po kupton se çka dua të bëj. Në kohën kur shkova nga skena politike, kuptova që kam qenë i vetmuar dhe se nuk kam pasur përkrahjen e mirëfilltë as brenda dhe as jashtë Bashkimit Sovjetik”, do të rrëfehet Gorbaçov.
Valentin Varenikov, zëvëndësministri i Mbrojtjes i BRSS-së, i cili mori pjesë në grushtshtetin e pasuksesshëm në gusht të vitit 1991, para gjyqit do të deklarojë: “Jam krenar që jam munduar të shpëtoj atdheun tim të cilin Gorbaçovi është munduar ta shkatërrojë, me urdhër të CIA-s dhe të Amerikës”.
Boris Olejnik, përndryshe ukrainas me përkatësi kombëtare, i cili në vitet e fundit të BRSS-së ishte nënkryetar i Këshillit të nacionaliteteve pranë Sovjetit Suprem, në librin e kujtimeve të tij të titulluar “Bujari i errësirës”, do të pohojë që Gorbaçov në të vërtetë ishte marrë vesh me Papën Gjon Pali II për ta shkatërruar Bashkimin Sovjetik dhe madje, për t’i katolicizuar krejt rusët dhe ortodoksët tjerë.
“Heq kapelën para shërbimeve sekrete amerikane, të cilat ditën të zgjedhin momentin kur duhej thyer Bashkimin Sovjetik, kinse duke na përkrahur në kursin e ri që patëm marrë”, thekson Olejnik.
Gjenerali polak Jaruzelski do të vërtetojë që ka ekzistuar një lloj marrëveshjeje midis Vatikanit, Varshavës dhe Moskës, por vetëm për evitimin e gjakderdhjes dhe luftës së madhe në Evropën Lindore. Papa Gjon Pali II, sipas këtij rrëfimi të Jaruzelskit, del kështu njëri nga diplomatët më të mëdhenj të shekullit XX.
Vladimir Kriuçkov, shef i KGB-së, ka qenë i bindur që Aleksandër Jakovlev, ideologu i “Perestrojkës”, qysh prej vitit 1960 ka punuar për shërbimet sekrete amerikane. “I pata thënë Gorbaçovit që Jakovlevit duhet t’i ruhet, por ky pat reaguar ndaj këtyre vërejtjeve të mia. Për këtë shkak, nisa të dyshoj edhe në vetë Gorbaçovin”, do të deklarojë pastaj Kriuçkov. Megjithatë, është interesant të shtohet këtu që autorët e grushtshtetit të dështuar, para gjyqit do të deklarojnë edhe gjëra të tjera shumë interesante. Ata pohuan që në të vërtetë Gorbaçovi ka mbështetur grushtshtetin dhe se tek më vonë u “sëmur” dhe hoqi dorë prej tij.
Në Shën Petersburg, tribunali i vetëthirrur i popullit e pati dënuar Gorbaçevin me “pushkatim dhe me urrejtje të përhershme për shkak të tradhtisë së vendit dhe për shkak të prishjes së rendit botëror të vendosur në Jaltë”. Dënimin me vdekje ia kanë komunikuar edhe shumë organizata të tjera, njëra prej së cilës ka emrin “Islami dhe Krishterimi”.
Sidoqoftë, asnjë prej këtyre epiteteve nuk vlen për Bashkimin Sovjetik dhe perandorinë komuniste të cilës ky i priu për tetë vjet rresht. /Shkrim i publikuar për herë të parë më 2001, në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”/Telegrafi/