Miku i madh i shqiptarëve, kongresisti Eliot Engel, ka thënë se të thuash që Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë një marrëdhënie të ngrohtë dhe të ngushtë do të ishte nënvlerësim i lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara drejtuan fushatën për t’i dhënë fund spastrimit etnik gjenocid të Sllobodan Milosheviçit dhe ka qenë miku më i fuqishëm dhe i qëndrueshëm i Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës.
“Unë e kam vizituar Kosovën shumë herë dhe me besim mund të them se amerikanët nuk marrin një mirëseardhje më të ngrohtë në asnjë vend tjetër në botë”, ka shkruar Engel, përcjell Telegrafi.
Kjo, sipas kryesuesit të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, është arsyeja që ai ka shprehur shqetësimin e tij rreth qasjes së administratës së Donald Trump karshi Kosovës.
“Kjo është arsyeja pse unë jam shqetësuar gjithnjë e më shumë me taktikat e ashpra që administrata e Trump po përdor me Prishtinën. Departamenti i Shtetit ka kërkuar prej kohësh që Kosova të heqë tarifat e saja ndaj Serbisë. Por kjo administratë shkoi drejt ndëshkimeve ekonomike vetëm pak javë pasi qeveria Kurti mori detyrën. Në vend që të linte një qeveri të re të ballafaqohej me pandeminë, agjencitë e saj dhe të vendosë procedura të brendshme, SHBA-ja kontribuoi në një krizë politike në Prishtinë mbi taksën për Serbinë”, ka vlerësuar më tej Engel.
Në këtë drejtim, sipas tij, “në vend që të përdorin taktika të tilla me një mik i cili mbështetet në përkrahjen tonë, Shtetet e Bashkuara duhet të kishin punuar me durim me qeverinë tanimë në largim të Kosovës – siç kërkonte të punonte me të mëparshmen për të përmirësuar politikat që promovojnë prosperitetin dhe një jetë të qëndrueshme paqeje”.
Andaj vlerëson Engel, “presioni që i është imponuar Prishtinës për tarifat është i pabalancuar”.
Kjo pasi që, siç ka thënë ai, “diplomatët serbë po lëvizin nëpër vende të ndryshme të globit duke bërë presion për të tërhequr pavarësinë e Kosovës dhe Serbia po i thellon marrëdhëniet me Moskën, duke blerë sasi të konsiderueshme të armatimit rus”.
“Në fakt, nën Aktin Kundër Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA) të miratuar nga Kongresi, pas ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, këto blerje të armëve kërkojnë nga Administrata të vendosë sanksione ndaj Serbisë. Ne as që i kemi imponuar ato sanksione dhe as nuk kemi bërë presion mbi Serbinë për t’i dhënë fund përpjekjeve të saj të ç’njohjeve të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë tutje Eliot Engel.
Andaj konsideron ai, “diçka nuk është në rregull me politikën e SHBA-së dhe ne duhet ta korrigjojmë atë”.
“Ne duhet të fillojmë me ribalancimin e qasjeve tona ndaj Serbisë dhe Kosovës. Ne duhet të punojmë me aleatët tanë evropianë për t’i trajtuar të dy vendet si partnerë të pavarur dhe sovranë, duke zbatuar standarde të qëndrueshme për të dy palët ndërsa përpiqemi të rinisim bisedimet e paqes. Kur ligji amerikan thotë se duhet të sanksionojmë Serbinë për shkak të lidhjeve të saj të sigurisë me Rusinë, kjo duhet të ndodhë”, ka thënë ndër tjerash Engel në deklaratën e tij.
Deklarata e plotë:
Përfaqësuesi Eliot L. Engel, Kryetar i Komisionit të Dhomës së Punëve të Jashtme, bëri sot deklaratën e mëposhtme:
“Të thuash që Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë një marrëdhënie të ngrohtë dhe të ngushtë do të ishte nënvlerësim i lidhjeve tona. Shtetet e Bashkuara drejtuan fushatën për t’i dhënë fund spastrimit etnik gjenocid të Milosheviçit dhe ka qenë miku më i fuqishëm dhe i qëndrueshëm i Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës. Unë e kam vizituar Kosovën shumë herë dhe me besim mund të them se amerikanët nuk marrin një mirëseardhje më të ngrohtë në asnjë vend tjetër në botë.
Unë kam qenë krenar që jam partner i qeverive të Kosovës të udhëhequra nga një larmi partish politike. Unë nuk marr anën se kush duhet ta drejtojë Kosovën. Ky është një vendim për popullin e Kosovës. Unë gjithmonë do të punoj me këdo që ata zgjedhin.
Kjo është arsyeja pse unë jam shqetësuar gjithnjë e më shumë me taktikat e ashpra që administrata e Trump po përdor me Prishtinën.
Departamenti i Shtetit ka kërkuar prej kohësh që Kosova të heqë tarifat e saja ndaj Serbisë. Por kjo administratë shkoi drejt ndëshkimeve ekonomike vetëm pak javë pasi qeveria Kurti mori detyrën.
Në vend që të linte një qeveri të re të ballafaqohej me pandeminë, agjencitë e saj dhe të vendosë procedura të brendshme, SHBA-ja kontribuoi në një krizë politike në Prishtinë mbi taksën për Serbinë.
Ka arsye të mira që Kosova të heqë tarifat, kryesisht se ato po e dëmtojnë Kosovën më shumë sesa po ofrojnë leva për të arritur një marrëveshje paqeje me Serbinë.
Pavarësisht kësaj, tarifat janë një mjet i ligjshëm i një shteti sovran. Si të tilla, ato janë imponuar në të gjithë botën nga presidenti Trump kundër miqve dhe armiqve, njëlloj, për arsye ekonomike dhe politike.
Në vend që të përdorin taktika të tilla me një mik i cili mbështetet në përkrahjen tonë, Shtetet e Bashkuara duhet të kishin punuar me durim me qeverinë tanimë në largim të Kosovës – siç kërkonte të punonte me të mëparshmen për të përmirësuar politikat që promovojnë prosperitetin dhe një jetë të qëndrueshme paqeje.
Një qasje e ashpër ndaj një demokracie të vogël është akti i një ngacmuesi, jo i një partneri të pjekur.
Pavarësisht, unë do të vazhdoj të punoj me çfarëdo qeverie që zgjedh populli i Kosovës tani dhe në të ardhmen.
Për më tepër, presioni që i është imponuar Prishtinës për tarifat është i pabalancuar. Diplomatët serbë po lëvizin nëpër vende të ndryshme të globit duke bërë presion për të tërhequr pavarësinë e Kosovës dhe Serbia po i thellon marrëdhëniet me Moskën, duke blerë sasi të konsiderueshme të armatimit rus.
Në fakt, nën Aktin Kundër Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA) të miratuar nga Kongresi, pas ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, këto blerje të armëve kërkojnë nga Administrata të vendosë sanksione ndaj Serbisë.
Ne as që i kemi imponuar ato sanksione dhe as nuk kemi bërë presion mbi Serbinë për t’i dhënë fund përpjekjeve të saj të ç’njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Diçka nuk është në rregull me politikën e SHBA-së dhe ne duhet ta korrigjojmë atë. Ne duhet të fillojmë me ribalancimin e qasjeve tona ndaj Serbisë dhe Kosovës. Ne duhet të punojmë me aleatët tanë evropianë për t’i trajtuar të dy vendet si partnerë të pavarur dhe sovranë, duke zbatuar standarde të qëndrueshme për të dy palët ndërsa përpiqemi të rinisim bisedimet e paqes. Kur ligji amerikan thotë se duhet të sanksionojmë Serbinë për shkak të lidhjeve të saj të sigurisë me Rusinë, kjo duhet të ndodhë.
Për më tepër, SHBA duhet të rifillojë menjëherë ndihmën e saj përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Modeli MCC bazohet në tregues objektivë, të bazuar nga të dhënat dhe në një bazë të dakorduar reciprokisht midis SHBA-së dhe vendit pranues. Përdorimi i kësaj ndihme si presion për veprimet që nuk kanë të bëjnë me MCC ose misionin e saj, e bëjnë agjencinë në një tjetër mjet presioni – pikërisht në çfarë nuk synon të mos jetë”. /Telegrafi/