Kosova sot po shënon 25 vjetorin e çlirimit. Kjo ditë shënon hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, pas një fushate ajrore 78-ditëshe që çoi në tërheqjen e forcave serbe dhe përfundimin e spastrimit etnik dhe konfliktit të përgjakshëm.
Institucionet e Kosovës kanë organizuar një sërë aktivitetesh për sot, ku ndër to ishte edhe parakalimi i njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.
Prezent në këto aktivitete janë edhe shumë miq të Kosovës të cilët në kohën e luftës dhanë kontribut të madh për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi. Ndër ta është edhe ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker.
Walker është përshëndetur me qytetarë të shumtë në sheshet e Prishtinës të cilët kishin dalë për të ndjekur nga afër parakalimin e FSK-së dhe Policisë.
Përshëndetje të ngrohta nga qytetarët pati edhe për presidenten Vjosa Osmani dhe presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. /Telegrafi/