Emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se Budestagu gjerman e mbështetë dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
Duke folur për takimin e djeshëm mes tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ai tha se Gjermania dhe Kosova duan ta bëjnë më të suksesshëm Procesin e Berlinit.
“Dje u takova me Albin Kurtin në Prishtinë. Gjithmonë është mirë të jesh në Kosovë dhe të flasësh me të si mik e partner. Gjermania dhe Kosova duan ta bëjnë të suksesshëm Procesin e Berlinit. Bundestagu gjerman mbështet dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Mirosllav Lajçak. Në të gjitha mënyrat”, shkroi Sarrazin në Twitter.
Për takimin e djeshëm është deklaruar edhe Qeveria e Kosovës.
Sipas njoftimit për media, Kurti ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.
“Ai vlerësoi angazhimin e Sarrazin dhe rolin e rëndësishëm të Gjermanisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. U bisedua për marrëdhëniet rajonale, ndërsa u theksua rëndësia e jetësimit të tregut të përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit”, thuhet në komunikatë.
“Duke folur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Kurti theksoi se Kosova ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë. Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër”. /Telegrafi/
Yesterday I met with @albinkurti in #Pristina. Always great to be in #Kosova and to talk with him as a friend and partner. #Germany and #Kosovo want to make the #BerlinProcess successful. @BundesregDE supports the #EU led dialogue and @MiroslavLajcak by all means. @GERonWEB https://t.co/L8KAYwKQzy
— Manuel Sarrazin (@ManuelSarrazin) September 15, 2022